Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 të shkallës Rihter ka goditur të premten zonën pranë Puerto Madero, në shtetin Chiapas të Meksikës, sipas të dhënave të Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS).
Sipas USGS, lëkundjet sizmike u regjistruan në një thellësi prej rreth 10 kilometrash nën sipërfaqen e tokës.
Deri në këto momente nuk janë raportuar zyrtarisht viktima apo dëme materiale, ndërsa autoritetet lokale vijojnë monitorimin e situatës pas tërmetit.
Pas goditjes sizmike, Sistemi i Paralajmërimit për Cunami i Shërbimit Kombëtar të Motit të SHBA-së (NOAA) aktivizoi dy paralajmërime për rrezik cunami për zonat bregdetare të Meksikës dhe Guatemalës, pranë zonës së epiqendrës.
Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve në zonat bregdetare të qëndrojnë të informuar dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare.
