Natalie Harp, një nga ndihmëset personale dhe burimet më të besueshme të informacionit të presidentit amerikan, po aludohet për një marrëdhënie më të afërt me Donald Trump. Aludimet raportohet se kanë shkaktuar pakënaqësi te zonja e parë Melania Trump.

Debati u rikthye në qendër të vëmendjes pasi senatori demokrat i Xhorxhias, Jon Ossoff, ironizoi presidentin amerikan duke lënë të kuptohej se ai ishte i shpërqendruar nga detyrat e tij dhe i përfshirë në një marrëdhënie jashtëmartesore me Harp.  Ossoff tha se Trump “nuk dëshiron të bëjë punën” dhe se është më i interesuar të ndërtojë sallën e re të ballos në Shtëpinë e Bardhë dhe të udhëtojë me Natalie Harp në avionin presidencial, të cilin e përshkroi në mënyrë ironike si “pallatin e tyre fluturues”.

Komentet shkaktuan reagime të ashpra nga disa prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Trump. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Davis Ingle, e sulmoi ashpër senatorin Ossoff, ndërsa drejtori i komunikimeve të Shtëpisë së Bardhë, Steve Cheung, e quajti atë një “humbës” në një postim në rrjetin social X.

“Melania nuk i pëlqen këto gjëra” – Sipas një personi pranë Shtëpisë së Bardhë, reagimi i fortë i administratës ndaj komenteve të senatorit lidhet pjesërisht me faktin se “Zonja e Parë nuk i pëlqen këto lloj gjërash”.

I njëjti burim, i cituar nga media amerikane Semafor, tha se Trump “zemërohet shumë” kur bëhen spekulime publike për jetën e tij personale. Burimi e përshkroi gjithashtu Harp si një prej bashkëpunëtoreve më të bindura të presidentit, duke thënë se ajo “do të hidhej më lart se kushdo tjetër në dhomë” kur Trump i kërkon diçka.

Sipas New York Times , Harp thuhet se i dërgoi Trump një numër letrash lavdëruese dhe personale në vitin 2023 që “shqetësuan” njerëzit përreth tij.