Gjatë tetë muajve të parë të presidencës së Donald Trump, paraqitjet publike të Zonjës së Parë, Melania Trump, kanë qenë të rralla dhe të kuruara me kujdes ekstrem. Por gjatë vizitës shtetërore të çiftit presidencial në Mbretërinë e Bashkuar, gjithçka ndryshoi. Melania u shfaq në qendër të vëmendjes me jo më pak se pesë veshje të ndryshme brenda 48 orëve secila më e komentuar se tjetra.
Nga palltot e firmave luksoze te fustanet haute couture, nga silueta të fuqishme te ngjyrat që sfidojnë konventat mbretërore, Melania jo vetëm që tërhoqi vëmendje, por dha një mesazh të qartë: ajo nuk ndjek rregullat e askujt përveç të sajve.
Që nga momenti që Mbreti Charles dërgoi ftesën për një vizitë të dytë shtetërore për Presidentin Trump, Melania sipas burimeve të afërta me stafin e saj e ka planifikuar çdo veshje me përpikëri. Stilisti i saj i besuar, Hervé Pierre, dhe ajo vetë kanë bashkëpunuar për të sjellë jo vetëm pamje, por qëndrime.
Për të, veshja nuk është vetëm modë, por diplomaci e heshtur.
1. Pallto Burberry dhe çizme Dior: Mbërritja në Stansted
Melania e nisi vizitën me një pamje që fliste britanike me një theks amerikan: një pallto klasike nga Burberry dhe çizme të zeza prej lëkure nga Christian Dior. Një homazh i rafinuar ndaj mikpritësve, por me prekje të qarta personale elegancë e distancuar, siç i shkon profilit të saj publik.

2. Veshje e errët: Ceremonia në Kështjellën Windsor
Gjatë pritjes ceremoniale, Melania zgjodhi një kostum të errët me prerje të mprehta, që i jepte një pamje autoritare, por femërore. Kjo veshje, siç u komentua, ishte një rivlerësim modern i estetikës “power dressing” që dikur dominonte Shtëpinë e Bardhë në vitet ‘80.
3. Kostum Dior dhe kapelë misterioze: Eleganca në hije

Një nga pamjet më të përfolura ishte kostumi i personalizuar nga Dior dhe kapela vjollcë që i fshihte pjesën më të madhe të fytyrës. Ishte një përqafim i stilit “New Look” të Dior-it të pasluftës, por edhe një deklaratë e ftohtë distancimi. Ndryshe nga Kate dhe Camilla që zbuluan fytyrat, Melania e errësoi të sajën –një zgjedhje që krijoi polemika.
4. Fustani i mbrëmjes nga Carolina Herrera: Deklarata e guximshme në banketin shtetëror
Kjo ishte padyshim veshja më e komentuar: një fustan i verdhë kanarinë me supe të zbuluara dhe një rrip jargavan, dizajnuar nga Wes Gordon për Carolina Herrera. Me bizhuteri minimale dhe një qëndrim të qetë por imponues, Melania e theu çdo rregull të padukshëm të protokollit mbretëror dhe e bëri me vetëdije.
Për kritikët e modës ishte një katastrofë. Për ndjekësit e saj, ishte një përshëndetje e heshtur ndaj pavarësisë së saj.

5. Louis Vuitton në vizitën kulturore: Kthim në “Upper East Side”
Në fund të vizitës, Melania u shfaq me një kostum të punuar me porosi nga Louis Vuitton në ngjyrë karamel dhe këpucë me lëkurë gjarpri nga Manolo Blahnik. Dukej sikur kishte zbritur drejtpërdrejt nga një reklamë e Madison Avenue, duke kontrastuar ndjeshëm me zgjedhjet më të zbutura dhe romantike të Princeshës së Uellsit.

