Zhvillime të reja diplomatike dhe ushtarake shënojnë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump, do të presë më 5 nëntor në Shtëpinë e Bardhë zyrtarë nga Rusia dhe Ukraina, në një takim që Shtëpia e Bardhë e ka cilësuar si një “moment të jashtëzakonshëm për Amerikën”.
Gjatë aktivitetit, Melania Trump pritet të bëjë gjithashtu një deklaratë lidhur me armëpushimin në Oleshky, në orën 11:00 sipas orës lokale, ose 17:00 sipas orës amerikane.
Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka konfirmuar se më 10 dhe 11 nëntor, në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, do të zhvillohen bisedimet trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara.
Delegacioni rus do të drejtohet nga Vladimir Medinsky, këshilltar i presidentit Vladimir Putin. Në frontin diplomatik, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ndodhet në Berlin, ku pritet të zhvillojë një takim me kancelarin gjerman Friedrich Merz.
Gjithashtu, gjatë kësaj jave, përfaqësues të NATO-s do të takohen me përfaqësues nga SHBA-ja, Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania për të diskutuar hapat e mëtejshëm drejt përfundimit të luftës në Ukrainë, me synimin për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.
Paralelisht me zhvillimet diplomatike, Ukraina ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Rusisë. Forcat ukrainase kanë goditur me dronë rafinerinë e naftës Slavneft-Yanos, në qytetin rus të Yaroslavlit, rreth 250 kilometra në verilindje të Moskës.
Rafineria është një nga impiantet më të mëdha të përpunimit të naftës në Rusi. Sulmi u regjistrua gjatë natës, ndërsa banorët raportuan të paktën tre vatra zjarri brenda kompleksit industrial. Nga ana tjetër, sipas të dhënave të raportuara nga autoritetet ruse, sistemet e mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar gjithsej 856 dronë ukrainas me krahë fiks gjatë natës mes së hënës dhe të martës.
Dronët u interceptuan mbi rajonet Bryansk, Belgorod, Vladimir, Kaluga, Kursk, Novgorod, Oryol, Rostov, Ryazan, Smolensk, Tver, Tula, Yaroslavl dhe Moskë, si dhe mbi Krimenë dhe Detin e Zi. Zhvillimet e fundit tregojnë se, ndërsa intensifikohen përpjekjet diplomatike për një marrëveshje paqeje, në terren vazhdojnë sulmet ndaj objektivave strategjike dhe infrastrukturës energjetike.
Tashmë vëmendja ndërkombëtare është përqendruar te takimi në Shtëpinë e Bardhë më 5 nëntor dhe bisedimet trepalëshe në Abu Dhabi më 10-11 nëntor.
