Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka prezantuar një nga pikat kryesore të projektligjit të ri për sigurinë, i cili u miratua të mërkurën nga Këshilli i Ministrave të Italisë.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Meloni deklaroi se nisma synon t’i japë fund rasteve kur persona që pësojnë dëmtime gjatë kryerjes së një vepre penale mund të kërkojnë kompensim.
“Ju më sulmoni. Unë mbroj veten. Dhe unë duhet t’ju kompensoj? Nuk është e drejtë”, shkroi kryeministrja italiane.
Sipas saj, projektligji parashikon që kushdo që pëson dëme gjatë kryerjes së një krimi nuk do të ketë të drejtë të kërkojë dëmshpërblim, as ai vetë dhe as familjarët e tij.
“Kushdo që shkel ligjin nuk mund të presë të kompensohet nga ata që mbrojtën veten. Shteti është në anën e njerëzve të mirë, jo të kriminelëve”, u shpreh Meloni.
Postimi i saj u shoqërua edhe me një mesazh ku theksohet se është koha t’i jepet fund, sipas saj, “paradoksit” që autorët e veprave penale të mund të kërkojnë kompensim për dëmet e pësuara gjatë kryerjes të tyre.
Projektligji për sigurinë pritet të ndjekë procedurat parlamentare përpara se të hyjë në fuqi.
