Mercedes-Benz është bërë kompania e parë e automobilave që ka marrë miratimin nga shteti i Kalifornisë për shitjen e makinave të cilat janë të pajisura me Nivelin e 3-të të ngarjes të automatizuar. Kjo do të thotë se disa modele të Mercedes në tregun më të madh amerikan të makinave mund të lëvizin pa ndërveprimin mes shoferit dhe makinës nën disa kushte të caktuara. Megjithatë, shoferi duhet të jetë i gatshëm që të marrë kontrollin e makinës nëse shkëputet sistemi.
Sistemi Drive Pilot i prodhuesit gjerman të makinave do të jetë në dispozicion si opsion në modelet S-Class 2024 dhe EQS 2024 dhe makinat e para të pajisura me këtë teknologji pritet që të dërgohen tek klientët në fundin e vitit 2023.
Sistemi i njëjtë, në muajin janar e bëri markën gjermane prodhuesin e parë i cili ofron shërbime të ngarjes së automatizuar të Nivelit 3 në SHBA kur Drive Pilot u miratua për përdorim në shtetin e Nevada. Markus Schäfer deklaroi se:
Mercedes-Benz Drive Pilot është i vetmi sistem SAE i Nivelit 3 në botë me miratim të tipit të vlefshëm ndërkombëtarisht. Ai ndërtohet mbi një bazë shumë të fortë, duke vendosur standarde të reja të industrisë. Drive Pilot përdor një arkitekturë makine shumë të sofistikuar të bazuar në tepricë me një mori sensorësh që mundësojnë ngarje të automatizuar në kushte të rehatshme dhe të sigurta. Miratimi nga autoritetet në Kaliforni dhe Nevada konfirmon edhe një herë se kjo është e sigurt e gjithashtu edhe metoda e duhur.
Në të ardhmen, Mercedes dëshiron të përmirësojë sistemin dhe ta bëjë atë të funksionojë me shpejtësi deri në 130kmh. Në ndihmë të prodhuesit të automobilave janë kompani si Nvidia dhe Luminar, të cilat ofrojnë komponentë të ndryshëm për Drive Pilot. Përveç kësaj, Mercedes dëshiron të zgjerojë më tej disponueshmërinë e sistemit në shtete të tjera në SHBA dhe rajone të tjera anembanë botës.