Nuk tolerojnë rishikim të kushteve të marrëveshjes së huasë
Merkel dhe Hollande kanë dalë në një front të përbashkët ndaj Greqisë dhe i kanë bërë të ditur Athinës që të mos presin një ndryshim të kushteve të huasë, deri sa grekët të mos kenë vepruar në përputhje me kërkesat e marrëveshjes së bërë.
Liderët e Francës dhe Gjermanisë i kanë sinkronizuar mesazhet e tyre ndaj Kryeministrit Samaras. Kryeministri grek Samaras ka nisur një vizitë të shpejtë në Berlin dhe në Paris, pra në kryeqytetet e dy vendeve më të rëndësishme të Eurozonës për të kërkuar lehtësim të kushteve të kredive që ka marrë vendi i tij. Qëllimi është që të përfitojë disa kushte lehtësuese, si për shembull më shumë afate për plotësimin e tyre. Por duket se përgjigjja që ka gjetur në dy kryeqytetet më të mëdha të Europës është negative. Samaras, i cili ka shkuar më parë në Berlin, ka dhënë një sërë intervistash për median gjermane, në të cilat ka shprehur bindjen se Greqia është në rrugë të mbarë, pra në rrugën e plotësimit të kërkesave të marrëveshjes së huasë. Kjo për të pasur mundësi që të kërkojë më shumë kohë për plotësimin e tyre afatgjatë. Por sipas ministrit gjerman të Financave, dhënia e një kohe më të gjatë nuk do ta zgjidhte problemin.
Samaras, megjithatë, përpiqet që nëpërmjet Juncker-it të arrijë që donatorët t’i bëjnë lëshime Greqisë. Madje luksemburgasi shpreh njëfarë mirëkuptimi për këtë kërkesë të Greqisë, siç ka lënë ai të nënkuptohet herë pas here. Ky nuk është i vetmi takim me politikanë drejtues europianë për Kryeministrin grek. Një takim disi më komod duhet të jetë për Samaras-in bisedimi të shtunën e ardhshme në Paris me Presidentin francez François Hollande. Ky i fundit synon luftimin e krizës përmes rritjes ekonomike dhe mund të jetë i gatshëm edhe për një ndihmë të mëtejshme për Greqinë. Samaras do ta ketë shumë më të vështirë takimin të enjten në Berlin me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel. Terrenin për këtë takim ai e përgatiti përmes një interviste dhënë të mërkurën gazetës gjermane “Bild”. Në këtë intervistë ai paralajmëron nga trazirat sociale dhe nga një krizë e paparë deri më sot e demokracisë në vendin e tij, në rast se Greqisë nuk “i lihet të marrë frymë”, çka do të thotë se nuk i jepet “më shumë kohë” për zbatimin e reformave. Ai u sjell gjermanëve në kujtesë historinë e tyre dhe për t’i theksuar kërkesat e tij thotë: “Në fund mund të ndodhë si në Republikën e Vajmarit”. E megjithatë Samaras e ka të qartë klimën e nervozizmit në koalicionin qeverisës të Berlinit dhe në radhët e popullsisë gjermane. Shprehimisht ai bën të qartë, se nuk ka kërkuar më shumë para, por “vetëm” më shumë kohë. Më shumë kohë do të thotë tek e fundit edhe më shumë para, sepse në njëfarë mënyre duhen mbushur boshllëqet financiare. Disa politikanë gjermanë gjatë verës janë treguar të ashpër lidhur me çështjen e Greqisë. Zëvendëskancelari Philipp Rösler i Partisë Liberal-Demokrate (FDP) është shprehur, se dalja e këtij vendi nga unioni monetar “prej kohësh nuk ka më efekt tronditës”, dhe ministri bavarez i Financave Markus Söder donte që Greqia të “bëhej si shembull”. Sidoqoftë tashmë koalicioni në përgjithësi po tregohet më i butë në çështjen e Greqisë. Disa lëshime të vogla duket që janë planifikuar tashmë, siç ka lënë të nënkuptohet p.sh. ministri i Jashtëm, Guido Westerwelle, ndryshe nga sa është shprehur kolegu i partisë së tij Rösler. Po forcohet gjithnjë e më shumë përshtypja se nuk është më fjala vetëm për Greqinë, por që vetë euro po vihet në pikëpyetje dhe që me shpërbërjen e unionit monetar, Gjermania mund të humbasë shumë. Vendimi nëse do t’i bëhen lëshime Greqisë apo nëse rubineti financiar do të mbyllet, nuk pritet së shpejti. Qeveritë fillimisht do të presin publikimin në shtator të raportit të trojkës së përbërë nga BE-ja, Banka Qendrore Europiane (BQE) dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Ajo çka është edhe më e rëndësishme në kontekstin e të gjitha përpjekjeve për shpëtimin e euros është vendimi që pritet më 12 shtator i Gjykatës Kushtetuese të Gjermanisë. Kushtetuesja në Karlsruhe do të shqiptojë vendimin për ankesat e parashtruara kundër mekanizmit për shpëtimin e euros ESM dhe paktit fiskal. Parashikohet që gjykata të mos shprehë rezerva parimore kundër këtyre dy projekteve. Në rast të kundërt, siç shprehet eurodeputeti kristian-social Markus Ferber, shumë shpejt euro mund të marrë fund. Në samitin e tetorit, kryetarët e qeverive dhe të shteteve mund të vendosin, nëse Greqia përfundimisht do të lihet në mëshirë të fatit, apo do të vazhdojnë ndihmat për të. Siç ka treguar përvoja, deri më sot të tilla vendime nuk janë radikale, por shpesh ato janë më shumë kompromise që lënë hapësira veprimi.