Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka urdhëruar ushtrinë të kryejë sulme “të fuqishme” në Rripin e Gazës, pasi akuzoi Hamasin për shkelje të armëpushimit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.

Pak minuta më vonë, Hamasi njoftoi se do ta vononte dorëzimin e kufomës së një pengu tjetër, duke e akuzuar Izraelin për “shkelje të armëpushimit”.

“Pas konsultimeve rreth sigurisë, kryeministri Netanyahu udhëzoi ushtrinë që menjëherë të kryejë sulme të fuqishme në Rripin e Gazës”-, tha zyra e Netanyahut pa dhënë hollësi të tjera.

Hamasi kishte njoftuar më herët se do ta dorëzonte trupin e një pengu tjetër të martën, pas trysnisë së shtuar nga Izraeli që akuzoi grupin palestinez se kishte kthyer vetëm mbetjet e pjesshme të trupit të një pengu të rikuperuar më parë.

“Ne do ta shtyjmë dorëzimin që ishte planifikuar për sot për shkak të shkeljeve nga pushtuesi”, tha krahu i armatosur i Hamasit në një deklaratë, duke shtuar se çdo “përshkallëzim izraelit do të pengojë kërkimin, gërmimin dhe rikuperimin e trupave”.

Armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit, i ndërmjetësuar nga SHBA, hyri në fuqi më 10 tetor, por të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje. Mediat izraelite raportuan më herët për një shkëmbim zjarri midis forcave izraelite dhe luftëtarëve të Hamasit në qytetin jugor të Gazës, Rafah. Hamasi nguli këmbë se po zbaton kushtet e armëpushimit dhe e akuzoi kryeministrin Netanyahu se po kërkon të gjejë arsyetime për t’u tërhequr nga detyrimet e Izraelit.