Parlamenti i Irlandës ka miratuar një projektligj që parashikon heqjen e periudhës së detyrueshme tre-ditore të pritjes për gratë që kërkojnë të kryejnë abort në javët e para të shtatzënisë.
Projektligji u miratua në Dáil, dhomën e ulët të parlamentit irlandez, me 86 vota pro dhe 70 kundër, duke i hapur rrugën shqyrtimit të mëtejshëm në komisionet parlamentare përpara se të kthehet në ligj.
Nisma është cilësuar nga mbështetësit si një nga ndryshimet më të rëndësishme në sistemin e kujdesit shëndetësor për gratë që prej referendumit të vitit 2018, kur irlandezët votuan për heqjen e ndalimit kushtetues të abortit.
Aktualisht, ligji parashikon që një grua që kërkon abort deri në javën e 12-të të shtatzënisë duhet të presë tre ditë ndërmjet konsultës së parë mjekësore dhe marrjes së medikamenteve për ndërprerjen e shtatzënisë. Ky kusht ishte përfshirë në legjislacionin e vitit 2018 për të siguruar mbështetje më të gjerë për legalizimin e abortit.
Liderja e partisë Sinn Féin, Mary Lou McDonald, e cila mbështeti projektligjin, deklaroi se gratë dhe profesionistët e shëndetësisë kanë kërkuar prej vitesh heqjen e kësaj pengese, duke e konsideruar atë të panevojshme.
Megjithatë, kundërshtarët argumentojnë se periudha e pritjes u jep grave kohë për reflektim përpara marrjes së një vendimi të rëndësishëm. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 10 mijë e 400 gra nuk u kthyen për konsultën e dytë pas periudhës së pritjes gjatë viteve 2019-2024, megjithëse shifrat përfshijnë edhe raste të tjera si abortet spontane apo trajtime spitalore.
Projektligji pritet të shqyrtohet në fazat e ardhshme parlamentare dhe mund të hyjë në fuqi gjatë këtij ose vitit të ardhshëm.
