Kompania e transportit publik Atac në Romë është zotuar të rimbursojë pasagjerët në rastet kur shërbimi nuk përmbush standardet e cilësisë, njoftoi të hënën Autoriteti Italian i Konkurrencës, duke mbyllur kështu një hetim të nisur në shkurt ndaj kompanisë. Hetimi kishte për qëllim të verifikonte praktika të mundshme të padrejta tregtare dhe mosrespektimin e objektivave të cilësisë gjatë viteve 2021-2023.
Gjatë kësaj periudhe, Atac nuk arriti të përmbushte disa nga indikatorët kryesorë, si respektimi i orareve, funksionimi i shkallëve lëvizëse dhe ashensorëve, si dhe prania e rojeve të sigurisë në stacionet e metrosë. Sipas vendimit të rregullatorit, kompania ka pranuar të ofrojë mbi 3 milionë euro rimbursime për mbajtësit e abonimeve vjetore të transportit publik.
Drejtori i përgjithshëm i Atac, Paolo Aielli, e përshëndeti vendimin si një nxitje për të përshpejtuar reformat e kompanisë. Mbajtësit e abonimeve vjetore për vitin 2024 do të përfitojnë 5 euro rimbursim, ndërsa një shumë e njëjtë do të akordohet për çdo vit ndërmjet 2021 dhe 2023 për përdoruesit që kanë pasur abone vjetore.
Abonetë vjetore në Romë kushtojnë rreth 250 euro, pa llogaritur zbritjet. Për më tepër, Atac do të lançojë një aplikacion të ri celular që do të mundësojë rimbursime të pjesshme në raste vonesash mbi 15 minuta në autobusa, tramvaje ose shërbimet e metrosë.
Transporti publik në kryeqytetin italian ka një reputacion të gjatë për joefikasitet, por Atac argumenton se situata ka nisur të përmirësohet falë fondeve të BE-së pas pandemisë dhe financimeve shtesë të shtetit për përgatitjet e Vitit të Shenjtë Katolik të këtij viti. Përmirësimet përfshijnë vënien në qarkullim të autobusëve të rinj dhe prezantimin e tramvajeve të reja. Si pjesë e angazhimeve, kompania ka premtuar gjithashtu rritje të stafit në stacionet e metrosë dhe trajnimin e personelit, me një investim vjetor prej 2.6 milionë eurosh.
