Një grua dhe vajza e saj kanë përfunduar në prangat e policisë pasi akuzohen për mashtrim dhe pastrim parash me vlerë gati 70 milionë dollarë australianë, pas një hetimi të gjerë mbi një sindikatë të dyshuar financiare në Australi.
Mediat e huaja shkruajnë se, e ëma, 53 vjeç, e cila prezantohej si fallxhore dhe eksperte e feng shui-t, dyshohet se ka mashtruar klientë “të cenueshëm” nga komuniteti vietnamez duke i bindur të merrnin kredi me premtimin se “një miliarder” do t’u ndryshonte jetën.
Ajo u arrestua në shtëpinë e saj luksoze në Dover Heights të Sydney-it, ndërsa vajza e saj 25-vjeçare u ndalua në të njëjtën operacion.
Sipas policisë australiane, të dyja ishin pjesë e brendshme e një sindikate shumë të sofistikuar mashtrimi dhe pastrimi parash, që besohet se ka mashtruar bankat australiane me shuma që arrijnë deri në 250 milionë dollarë australianë.
Gjatë kontrollit të rezidencës, hetuesit sekuestruan dokumente financiare, telefona celularë, çanta luksoze, një shufër ari 40 gramësh dhe çipa kazinoje në vlerë prej 6,600 dollarësh australianë.
Policia ngriti gjithashtu 15 milionë dollarë australianë në asete të dyshuara, përveç 60 milionë dollarëve të ngrirë më herët gjatë hetimeve.
Nëna përballet me 39 akuza, përfshirë drejtimin e një grupi kriminal dhe përfitimin e padrejtë financiar përmes mashtrimit. Vajza e saj është akuzuar për shtatë vepra penale, përfshirë trajtimin e pakujdesshëm të të ardhurave nga krimi.
Asaj iu dha lirimi me kusht, ndërsa e ëma mbetet në paraburgim dhe pritet të dalë në gjykatë të enjten.
Hetimi, i njohur si Strike Force Myddleton, nisi vitin e kaluar për mashtrime me kredi të ashtuquajtura “makina fantazmë” – automjete luksoze që në fakt nuk ekzistonin.
Sipas Sydney Morning Herald, dyshja nënë e bijë kanë lidhje me të ashtuquajturën “Sindikata Penthouse”, e cila udhëhiqej nga një person që jetonte në një apartament prej 18 milionë dollarësh në Sydney.
Detektivi Gordon Arbinja, komandant i skuadrës së krimeve financiare, e përshkroi rastin si “një nga sindikatat më të sofistikuara të krimit financiar të zbuluara ndonjëherë në Australi”.
Deri tani janë arrestuar mbi një duzinë personash, përfshirë staf bankash të dyshuar për korrupsion, ndërsa policia paralajmëron më shumë arrestime, duke përfshirë avokatë, kontabilistë dhe zhvillues pronash që mund të kenë ndihmuar sindikatën.
