Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka shprehur dyshime të forta mbi qëllimet e luftës kundër Iranit, duke theksuar se ndryshimi i regjimit në vend duket një objektiv jashtë mundësive reale. Deklaratat e tij vijnë në një periudhë tensioni të lartë ndërkombëtar dhe ndërsa disa vende perëndimore po shqyrtojnë opsione diplomatike dhe ushtarake për të frenuar ndikimin e Teheranit në rajon.
“A është me të vërtetë ndryshimi i regjimit në Iran qëllimi i kësaj lufte? Nëse po, unë nuk besoj se do ta arrijnë atë”, tha Merz.
Ai nënvizoi se përvoja e ndërhyrjes së NATO-s në Afganistan është një paralajmërim i qartë.“Në Afganistan mori 20 vjet që të ndodhte ndryshimi i regjimit, dhe në fund u kalua nga një regjimi mullahësh te një tjetër, pa sjellë stabilitet real,” shtoi ai.
Merz theksoi gjithashtu se sulmet ushtarake dhe presioni ndërkombëtar nuk garantojnë domosdoshmërisht sukses në ndryshimin e regjimeve, dhe paralajmëroi se rezultatet mund të jenë të paparashikueshme dhe të kushtueshme për vendet perëndimore që ndërhyjnë.


