Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka përshëndetur krijimin e “Aleancës për të Ardhmen” mes Bashkimit Evropian dhe Kanadasë, duke e konsideruar këtë nismë një hap të rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit strategjik mes dy palëve.

Në një deklaratë, Merz theksoi se kjo aleancë shënon fillimin e një faze të re në raportet mes BE-së dhe Kanadasë, duke krijuar një partneritet të veçantë me një shtet që nuk është pjesë e Bashkimit Evropian.

Sipas kancelarit gjerman, bashkëpunimi i ri bazohet në vlera të përbashkëta dhe në besimin e ndërsjellë, elemente që marrin rëndësi të veçantë në kushtet e pasigurive në rritje në arenën ndërkombëtare.

Nisma parashikon zgjerimin e bashkëpunimit në disa fusha kryesore, përfshirë sigurinë dhe mbrojtjen, zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës, qëndrueshmërinë dhe forcimin e lidhjeve mes qytetarëve.

Merz nënvizoi se përmes kësaj aleance, Bashkimi Evropian dhe Kanadaja synojnë të ndërtojnë një partneritet të ri strategjik, i cili do të kontribuojë në mbrojtjen e interesave të përbashkëta, si dhe në rritjen e sigurisë dhe mirëqenies ekonomike të qytetarëve.

Samiti i 21-të mes Bashkimit Evropian dhe Kanadasë po zhvillohet të enjten dhe të premten në Montreal, në një kohë kur të dyja palët synojnë të thellojnë bashkëpunimin dhe të konsolidojnë marrëdhëniet e tyre.

BE-ja përfaqësohet në këtë takim nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Ndërsa delegacioni kanadez drejtohet nga kryeministri Mark Carney.