Qytetarët kolumbianë iu drejtuan sot kutive të votimit për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, në një proces që po zhvillohet nën masa të forta sigurie dhe në një klimë të tensionuar politike.

Gara po konsiderohet vendimtare për drejtimin e ardhshëm të vendit, ndërsa përballë njëri-tjetrit janë kandidatët e majtë që synojnë vazhdimin e politikave aktuale dhe kandidatët e djathtë që premtojnë një qasje më të ashpër ndaj krimit dhe grupeve të armatosura.

Sipas sondazheve të fundit, favoritët kryesorë në garë janë senatori i majtë Iván Cepeda, avokati konservator Abelardo de la Esprieja dhe senatorja Paloma Valencia. Në total, në zgjedhje marrin pjesë 14 kandidatë.

Procesi elektoral zhvillohet në një kohë kur Kolumbia po përballet me rritje të dhunës nga grupet e armatosura, ndërsa fushata është shoqëruar nga incidente të shumta, përfshirë sulme ndaj zyrtarëve lokalë, efektivëve të policisë dhe një kandidati presidencial.

Në rast se asnjë prej kandidatëve nuk siguron shumicën e nevojshme të votave, kolumbianët do t’i rikthehen kutive të votimit më 21 qershor për raundin e dytë.

Presidenti aktual Gustavo Petro nuk është në garë për një mandat të ri, por politikat dhe trashëgimia e tij politike kanë qenë në qendër të debateve gjatë gjithë fushatës.

Autoritetet kanë angazhuar qindra mijëra efektivë policie dhe ushtarë në të gjithë vendin për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe sigurinë e votuesve.