Një grua 48-vjeçare në Kinë i mbijetoi një përvoje të tmerrshme 54-orëshe, pasi ra në një pus të braktisur gjatë një shëtitjeje në pyjet e provincës Fujian. Qin, alpiniste dhe nënë, u gjet nga ekipet e shpëtimit pas dy ditësh e gjysmë të bllokuar në errësirën e pusit, të mbuluar nga bimësi dhe i mbushur me ujë, mushkonja dhe gjarpërinj.

Ngjarja ndodhi më 13 shtator në qytetin Quanzhou. Pas zhdukjes së saj, familjarët e raportuan humbjen dhe vetëm më 15 shtator, një ekip shpëtimi arriti ta lokalizojë atë duke përdorur një dron me kamera termike.

Qin qëndroi e kapur për muret e pusit, duke luftuar për të mos u fundosur. Ajo u kafshua nga një gjarpër uji fatmirësisht jo helmues dhe u mbulua nga pickimet e mushkonjave. Me dy brinjë të thyera dhe një mushkëri të dëmtuar, ajo arriti të qëndrojë gjallë falë forcës fizike dhe vendosmërisë për të mos lënë pas prindërit e moshuar dhe vajzën që sapo kishte nisur kolegjin.

“Ishte errësirë e plotë. U ndjeva e humbur, e frikësuar dhe kishte momente që doja të hiqja dorë. Por mendova për familjen time,” tha ajo pas shpëtimit.

Qin aktualisht ndodhet në spital, ku po merr trajtimin e nevojshëm dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Kinë, ndërsa autoritetet po paralajmërojnë për rrezikun e puseve të pambrojtura në zonat rurale.