Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan ka bërë deklarata të forta ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu gjatë mesazhit të tij me rastin e Festës së Sakrificës (Kurban Bajramit), të mbajtur pranë Xhamisë së Madhe Çamlıca në Stamboll.
Gjatë fjalës së tij, Erdoğan u ndal tek situata në Gaza dhe Palestinë, duke theksuar nevojën për unitet të botës myslimane dhe solidaritet mes vendeve islame. “Zoti na dhëntë mundësinë të arrijmë edhe shumë festa të tjera me shëndet, begati dhe gëzim. Uniteti dhe kohezioni ynë qoftë i përjetshëm,” u shpreh ai, duke uruar besimtarët për festën.
Megjithatë, gjatë deklaratave për gazetarët, presidenti turk përdori një ton më të ashpër ndaj Netanyahut, duke e cilësuar situatën në Gaza si një “provë të madhe” për botën myslimane.
“Ky tiran i quajtur Netanyahu do të marrë mësimin që meriton për atë që po ndodh në Palestinë dhe Gaza,” tha Erdoğan, duke shtuar se pret një reagim më të gjerë ndërkombëtar ndaj zhvillimeve në rajon. Ai theksoi gjithashtu se festa duhet të shërbejë si një moment bashkimi për botën islame dhe forcim të solidaritetit mes vendeve myslimane
