Kryministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis është përgjigjur i prerë për çështjen e Fredi Belerit, duke thënë se duhet zgjidhur menjëherë.
“Me homologun tim shqiptar, zotin Rama, e ritheksova edhe një herë se kjo çështje është një çështje që duhet zgjidhur. Është çështje e shtetit të së Drejtës, dua ta theksoj këtë, kur një kryetar i zgjedhur burgoset pa akuza të vlefshme dhe mbahet në burg pa pasur mundësi të betohet”, tha kryeministri grek nga Samiti i NATO-s.
Sipas Mitsotakis, këto janë gjëra që nuk duhet të ndodhin në një vend që e ka vendosur shtetin e së Drejtës Europiane në krye të reformave që dëshiron të bëjë për t’iu afruar Bashkimit Europian.
“Mendoj se mesazhi im ishte i qartë: respektoj pavarësinë e gjyqësorit shqiptar, nga ana tjetër mendoj se të gjithë e kuptojmë se kjo çështje duhet të zgjidhet shpejt.”-ishte ky mesazhi i Mitsotakis nga Lituania.