Netët tropikale që po na privojnë nga gjumi gjatë kësaj vere, mund të jenë vetëm një paralajmërim për atë që na pret në dekadat e ardhshme. Nëse emetimet e gazrave serrë vazhdojnë me ritme të larta, orët globale të nxehtësisë ekstreme mund të katërfishohen deri në vitin 2100, duke bërë që njerëzit të përballen mesatarisht me deri në katër orë më shumë vapë në ditë. Çmimin më të lartë për sa i përket ekspozimit ndaj temperaturave ekstreme pritet ta paguajnë brezat e rinj, veçanërisht ata që jetojnë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Ky është përfundimi i një studimi të publikuar në revistën shkencore Nature Climate Change nga studiues të Universitetit “Sun Yat-sen” në Guangzhou të Kinës.

Studiuesit analizuan temperaturat në shkallë orare gjatë periudhës 1981-2023, duke kombinuar vëzhgimet meteorologjike, vlerësimet e modeleve dhe parashikimet klimatike deri në fund të këtij shekulli. Rezultatet tregojnë se më shumë se 80% e sipërfaqes tokësore të planetit ka përjetuar një rritje të nxehtësisë, me një mesatare prej 62 orësh shtesë nxehtësie ekstreme për dekadë gjatë periudhës së studiuar. Një tjetër gjetje shqetësuese është se rreth 28% e këtyre episodeve të nxehtësisë ekstreme kanë ndodhur edhe gjatë ditëve që, sipas temperaturave mesatare ditore, nuk janë klasifikuar si ditë të nxehta. Sipas skenarit me emetime të larta të gazrave serrë, gjatë periudhës 2070-2099 çdo ditë e nxehtë mund të përjetojë rreth katër orë më shumë nxehtësi ekstreme krahasuar me nivelet aktuale. Edhe ditët që nuk klasifikohen si të nxehta mund të regjistrojnë rreth tre orë shtesë nxehtësie.

Studimi parashikon gjithashtu se ekspozimi i popullsisë ndaj nxehtësisë ekstreme mund të rritet deri në gjashtëfish në krahasim me nivelin e sotëm. Kjo do të prekë veçanërisht brezat e rinj, të cilët gjatë jetës së tyre mund të përballen me një ekspozim shumë më të madh ndaj temperaturave ekstreme sesa brezat e mëparshëm. Shkencëtarët theksojnë se problemi nuk lidhet vetëm me temperaturën maksimale, por edhe me kohëzgjatjen e ekspozimit.

“Njerëzit janë përshtatur të jetojnë brenda diapazoneve të caktuara të temperaturës dhe lagështisë. Nëse kushtet mjedisore i shtyjnë ata jashtë kësaj zone rehatie, bioritmet e tyre preken, madje edhe rëndë”, shpjegon Dino Zardi, profesor i Fizikës Atmosferike dhe Klimës në Universitetin e Trentos.

Sipas tij, shqetësimi që përjeton trupi varet jo vetëm nga temperaturat dhe lagështia e arritur, por edhe nga kohëzgjatja e këtyre kushteve. Stresi termik ndikon në aftësinë e organizmit për t’u rikuperuar, ndaj temperaturat mesatare ditore mund të mos jenë një tregues i mjaftueshëm për të vlerësuar ndikimin real të vapës që njerëzit përjetojnë gjatë orëve të ndryshme të ditës dhe natës.

Zardi vlerëson se studimi është një ‘kambanë alarmi”, por paralajmëron se modelet globale klimatike kanë ende kufizime për sa i përket detajeve lokale. Simulimet globale kanë një rezolucion relativisht të ulët hapësinor dhe nuk mund të përfaqësojnë me saktësi të gjitha karakteristikat e sipërfaqes së tokës. Këta faktorë ndikojnë drejtpërdrejt në shkëmbimin e nxehtësisë mes sipërfaqes dhe atmosferës dhe, rrjedhimisht, në ciklin ditor të temperaturave.

Për këtë arsye, ekspertët argumentojnë se nevojiten studime më të detajuara në rajonet që ngrohen më shpejt. Mes zonave që kërkojnë vëmendje të veçantë janë pellgu i Mesdheut, zonat malore, akullnajat polare dhe qytetet, ku efekti i “ishujve urbanë të nxehtësisë” mund të përforcojë temperaturat. Studimi ofron kështu një tjetër sinjal alarmi për ndikimin e ndryshimeve klimatike: e ardhmja mund të mos sjellë vetëm ditë më të nxehta, por edhe më shumë orë gjatë të cilave trupi i njeriut do të jetë i ekspozuar ndaj nxehtësisë ekstreme.