Një plan i pazakontë që parashikon përdorimin e krokodilëve të Nilit si pjesë e masave të sigurisë në burgjet izraelite duket se ka hedhur një hap përpara, pasi autoritetet kanë ndryshuar statusin ligjor të kësaj specieje.
Sipas raportimeve të mediave izraelite, krokodilët e Nilit nuk klasifikohen më si kafshë të egra që mund të mbahen vetëm në kopshte zoologjike ose rezervate, por si “kafshë të kujdesura”, një ndryshim që mund të lejojë vendosjen e tyre edhe në ambiente të tjera, përfshirë institucionet penitenciare.
Ideja për përdorimin e zvarranikëve si element sigurie u hodh për herë të parë në fund të vitit të kaluar nga ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir. Ai propozoi ndërtimin e hendeqeve me krokodilë rreth burgjeve, duke argumentuar se një masë e tillë do të rriste nivelin e sigurisë dhe do ta bënte pothuajse të pamundur arratisjen e të burgosurve.
Fillimisht, iniciativa hasi në pengesa ligjore. Autoriteti Izraelit i Natyrës dhe Parqeve argumentoi se legjislacioni nuk lejonte mbajtjen e krokodilëve jashtë kopshteve zoologjike dhe rezervateve natyrore.
Megjithatë, sipas raportimeve, kjo pengesë është tejkaluar pasi ministrja e Mbrojtjes së Mjedisit, Idit Silman, ka firmosur ndryshimin e klasifikimit të krokodilëve të Nilit, duke u hapur rrugë përdorimeve të reja të kësaj specieje.
Vendimi nuk ka kaluar pa kundërshtime. Këshilltarja ligjore e ministrisë thuhet se ka paralajmëruar se ministrja nuk kishte kompetencë për të ndryshuar në mënyrë të njëanshme statusin e kafshëve, duke ngritur pikëpyetje mbi bazën ligjore të këtij veprimi.
Mediat izraelite raportojnë se javë më parë Ben-Gvir dhe Silman zhvilluan një takim me drejtuesit e Autoritetit të Natyrës dhe Parqeve, ku u diskutua mundësia e zbatimit të këtij plani.
Sipas të njëjtave burime, projekti synon të pilotohet fillimisht në burgun Ketziot, në jug të Izraelit, ku mbahen kryesisht të burgosur palestinezë.
Pas prezantimit të idesë, Shërbimi i Burgjeve të Izraelit (IPS) analizoi propozimin dhe dërgoi përfaqësues në fermën e krokodilëve Hamat Gader, me qëllim njohjen nga afër të mënyrës së mbajtjes dhe menaxhimit të zvarranikëve.
Raportohet se IPS e ka parë pozitivisht mundësinë e përdorimit të tyre. Sipas mediave, është diskutuar blerja e ekzemplarëve më të rinj, me një kosto rreth 8 mijë dollarë secili, në vend të krokodilëve të rritur që kushtojnë rreth 20 mijë dollarë.
Një burim i cituar nga gazeta Maariv deklaroi se investimi konsiderohet i përballueshëm në raport me shpenzimet e përgjithshme për sigurinë e burgjeve, ndërsa theksoi se edhe krokodilët më të vegjël përbëjnë një rrezik të konsiderueshëm dhe me kalimin e kohës do të rriteshin brenda kompleksit penitenciar.
