Mijëra qytetarë janë mbledhur këtë të diel në sheshin Kartal të Stambollit, në Turqi, për të protestuar kundër varfërisë, korrupsionit dhe konflikteve të armatosura.

Pavarësisht reshjeve të dendura të shiut, qytetarët iu bashkuan marshimit të organizuar nga sindikatat e lidhura me Konfederatën e Sindikatave Revolucionare të Punëtorëve (DİSK).

Në tubim morën pjesë përfaqësues të më shumë se 130 organizatave të punëtorëve dhe profesioneve, shoqatave të pensionistëve, organizatave të grave dhe të rinjve, si dhe përfaqësues të partive politike, shkrimtarë dhe artistë.

Protestuesit mbanin pankarta kundër krizës ekonomike, abuzimeve financiare dhe kufizimit të lirisë së medias. Ndër sloganet e përdorura ishin: “Kush e krijoi krizën, ta paguajë faturën”, “Jo censurës, liri për lajmin” dhe “Nuk lejojmë vjedhjen e fondeve dhe grabitjen përmes taksave”.

Në protestë u përfaqësuan edhe disa parti politike, mes tyre Partia e Re, DEM, TİP, EMEP, Sol Parti dhe TKP.

Një tjetër kërkesë e protestuesve ishte rritja e pagës minimale në të paktën 85 mijë lira turke, si dhe shkurtimi i orarit të punës në gjashtë orë në ditë.