Donald Trump ka deklaruar se Mbreti Charles III do të kishte mbështetur Shtetet e Bashkuara në lidhje me Iranin, nëse një vendim i tillë do të varej prej tij.
Në një kritikë të drejtpërdrejtë ndaj Keir Starmer, Trump shprehu pakënaqësi për mungesën e angazhimit ushtarak britanik në Lindjen e Mesme. Ai e cilësoi Mbretin Charles si “fantastik” dhe një “mik të madh”, duke theksuar se kishin diskutuar edhe për çështjen e Iranit gjatë takimeve të tyre.
“Mbreti është fantastik. Ne kaluam shumë kohë së bashku. Ne folëm shumë. Ne folëm edhe për këtë. Ai e do vendin e tij dhe është një Mbret i shkëlqyer. Dhe është një mik i shkëlqyer.” , tha Trump.
Sipas Trump, monarku britanik ndan të njëjtin qëndrim të fortë për moslejimin e Iranit që të pajiset me armë bërthamore. Këto komente ai i bëri edhe gjatë një darke shtetërore në Uashington, ku foli për zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe pretendoi se SHBA po arrin sukses në përballjen me kundërshtarët në rajon.
Nga ana tjetër, Trump shprehu zhgënjim edhe ndaj NATO, duke thënë se aleatët nuk kanë përmbushur pritshmëritë e SHBA-së në lidhje me situatat në Ukrainë dhe Iran.
Gjatë së njëjtës vizitë, Mbreti Charles tërhoqi vëmendje me një koment me humor lidhur me deklaratat e mëparshme të Trump për rolin e SHBA në Lufta e Dytë Botërore. Duke iu përgjigjur pretendimit se pa SHBA evropianët do të flisnin gjermanisht, ai u shpreh me shaka se pa britanikët, amerikanët mund të flisnin frëngjisht një batutë që u prit me të qeshura nga të pranishmit.
Ndërkohë, në rrjetet sociale reagoi edhe Emmanuel Macron, i cili iu përgjigj me humor deklaratës së Mbretit, duke shkruar se një skenar i tillë “do të ishte elegant”.
Në një zhvillim tjetër, gjatë qëndrimit në SHBA, Mbreti Charles u takua edhe me Zohran Mamdani në Nju Jork, ku ky i fundit sugjeroi publikisht kthimin e diamantit historik Koh-i-Noor në Indi një çështje që vazhdon të ngjallë debat ndërkombëtar.
