Milano po përgatitet për një tjetër të shtunë protestash, më 24 tetor, pas trazirave të dhunshme të fundjavës së kaluar, kur grupe të rinjsh sulmuan dhe plaçkitën disa dyqane në qendër të qytetit. Autoritetet italiane kanë shtuar masat e sigurisë, ndërsa në terren pritet të angazhohen edhe 500 parashutistë të ushtrisë, për të mbështetur patrullimet dhe për të parandaluar incidente të reja.

Mediat italiane shkruajnë se shqetësimi kryesor i autoriteteve lidhet me mundësinë që protestuesit e rinj të bashkohen me grupe radikale dhe lëvizje antagoniste, duke rritur rrezikun e përplasjeve me policinë. Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë që pas episodeve të dhunës të qëndrojnë grupe të organizuara, të cilat mund të kenë koordinuar veprimet e tyre.

Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi deklaroi se kontrollet dhe hetimet e zhvilluara ditët e fundit kanë ndihmuar në zbulimin e elementeve të reja mbi trazirat. Sipas tij, mbetet për t’u verifikuar nëse bëhet fjalë për veprime spontane apo nëse pas tyre qëndrojnë një ose disa rrjete me shtrirje kombëtare.

Në kuadër të hetimeve, policia ka kryer kontrolle në disa qytete të Italisë ndaj rreth 100 personave, mes tyre 51 të mitur, të dyshuar për përfshirje në ngjarjet e 17 dhe 18 tetorit. Gjatë operacioneve janë sekuestruar thika, shkopinj, municione, armë të ndryshme, veshje për maskim dhe sende që dyshohet se janë vjedhur gjatë protestave.

Ndërkohë, kryebashkiaku i Milanos, Giuseppe Sala u ka bërë thirrje tregtarëve të mos mbyllin dyqanet nga frika e trazirave të reja. Ai shprehu shpresën që demonstratat të zhvillohen pa incidente, duke theksuar se autoritetet janë të përgatitura për të përballuar situatën.

Organizatorët e protestave kanë njoftuar se do të ndryshojnë mënyrën e grumbullimit, duke bërë të ditur se vendet përfundimtare të takimit do të publikohen në minutat e fundit. Kjo lëvizje pritet ta bëjë më të vështirë parashikimin e itinerarit dhe përmasave të demonstratave.

Prania e ushtrisë në qytet ka hapur gjithashtu debat brenda qeverisë italiane për kompetencat e efektivëve dhe mjetet që mund të përdorin gjatë angazhimit në terren. Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, ka kërkuar më shumë mundësi veprimi për ushtarët, duke sqaruar se kompetencat e tyre mbeten të kufizuara dhe se ata nuk kanë të njëjtat fuqi si forcat e policisë.