Bashkimi Europian


KosovaZyrtarët e Kosovës janë të bindur se brenda këtij viti, shtetasit e vendit do të udhëtojnë pa viza drejt vendeve të BE-së. Ministri i Integrimit, Bekim Çollaku, ka udhëtuar bashkë me kryeministrin Isa Mustafa në Bruksel, ku zhvilluan takime me funksionarë të rëndësishëm të vendeve të unionit. Pas takimeve me Presidentin e Komisionit Europian, z. Jean Claude Juncker, dhe Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë znj. Federica Mogherini, Çollaku shkroi në llogarinë e tij në Facebook. “Konstatimi nga Komisioni Europian që Kosova me sukses i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave ishte me tepër rëndësi. Pas këtij vlerësimi pozitiv, jam i sigurt se KE-ja pa humbur kohë do të marrë vendim për dhënien e rekomandimit për liberalizimin e vizave. Si përfundim, si udhëheqës i këtij procesi, me përgjegjësi të lartë konfirmoj se shumë shpejt do të merret vendimi për liberalizimin e vizave”, u shpreh ministri.