Ministri i Jashtëm në largim i Francës, Jean-Noel Barrot tha sot se “shteti palestinez është zgjidhja e vetme për të sjellë paqe në rajon”.
“Unë them se do të ketë shtet palestinez sepse është e vetmja zgjidhje që ka të ngjarë të sjellë paqe dhe stabilitet në rajon, sepse është alternativa e vetme ndaj një gjendjeje të përhershme lufte”, tha Barrot për transmetuesin “France Inter”.
Duke treguar dështimin e Izraelit për të përmbushur detyrimet e tij për të drejtat e njeriut, ai përsëriti gatishmërinë e tyre për të rritur presionin mbi qeverinë izraelite.
“Ajo që po ndodh në Gaza, uria, ajo që po ndodh në Bregun Perëndimor, kolonizimi, bllokada financiare ndaj Autoritetit Palestinez, e gjithë kjo është e papranueshme. Ne duhet të rrisim presionin mbi qeverinë izraelite, jo mbi popullin, por mbi qeverinë izraelite”, nënvizoi Barrot.
Deklarata e tij erdhi pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi nënshkrimin e një marrëveshjeje të enjten për të zgjeruar vendbanimet sipas të ashtuquajturit plani “E1”, që synon të ndajë Bregun Perëndimor të pushtuar në dy pjesë.
Në një konferencë për media në vendbanimin Ma’ale Adumim në lindje të Kudsit, Netanyahu tha se kishte nënshkruar marrëveshjen me krerët e disa këshillave të vendbanimeve pranë qytetit për t’i zgjeruar ato sipas planit.
Projekti, i cili parashikon ndërtimin e mijëra njësive të banimit në Ma’ale Adumim dhe zonat përreth, synon të ndajë Bregun Perëndimor në dy pjesë, duke ndërprerë lidhjet midis qyteteve të tij veriore dhe jugore dhe duke izoluar Kudsin Lindor.
Palestinezët paralajmërojnë se projekti është pjesë e vizionit të Netanyahut për një “Izrael të madh”, duke paralajmëruar se do të forcojë pushtimin dhe do të eliminojë qëndrueshmërinë e një shteti palestinez