Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, është filmuar gjatë një përballjeje me Hassan Salama-n, një prej figurave të larta të Hamasit që ndodhet prej vitesh në një burg izraelit.

Në pamjet e publikuara të dielën, më 27 shtator, Ben-Gvir dëgjohet duke i thënë të burgosurit palestinez se dëshiron ekzekutimin e tij dhe se do ta urdhëronte atë nëse në të ardhmen do të merrte drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Gjatë bisedës, ministri izraelit iu referua sulmeve me bomba ndaj autobusëve në Jerusalem në vitet ’90, për të cilat Salama është dënuar nga drejtësia izraelite.

Ben-Gvir kujtoi se në atë periudhë ishte ende i ri dhe merrte pjesë në protesta ku kërkoheshin masa të ashpra ndaj autorëve të sulmeve. Ai e cilësoi takimin në burg si një lloj “mbylljeje të ciklit”, ndërsa përdori një gjuhë tepër të ashpër ndaj Salama-s.

“Dua të të vras, do të të ekzekutoj. Një person që ka vrarë 48 ushtarë, gra, fëmijë dhe të moshuar duhet të vritet”, dëgjohet t’i thotë Ben-Gvir.

Ministri vijoi më pas me deklarata për “ferrin” që, sipas tij, e pret të burgosurin, duke e lidhur atë edhe me kushtet e vuajtjes së dënimit në Izrael.

Në momentin e takimit, Ben-Gvir mbante në jakën e tij një distinktiv në formën e një laku litari. Megjithëse pamjet u bënë publike më 27 shtator, nuk është bërë e ditur se kur është zhvilluar saktësisht përballja mes tyre.

Hassan Salama, me origjinë nga Gaza dhe ish-komandant i Brigadave Izz al-Din al-Qassam, krahut të armatosur të Hamasit, është dënuar nga gjykatat izraelite për rolin e tij në një seri sulmesh vetëvrasëse me bomba të kryera në vitin 1996.

Sulmet ndodhën pas vrasjes nga Izraeli të Yahya Ayyash, një prej ekspertëve të Hamasit për prodhimin e bombave, dhe lanë dhjetëra izraelitë të vrarë e qindra të plagosur.

Për këto ngjarje, Salama mori 48 dënime me burgim të përjetshëm, si dhe 30 vite të tjera burg, duke u bërë një prej të burgosurve palestinezë me dënimet më të rënda në Izrael.

Emri i tij është përmendur edhe në negociatat e mëparshme për shkëmbimin e të burgosurve mes Izraelit dhe Hamasit, por autoritetet izraelite kanë kundërshtuar lirimin e tij.