Autoritetet e Kosovës i kanë ndaluar hyrjen në Kosovë, ministrit për Kosovën në qeverinë në largim të Serbisë, Goran Bogdanoviç, për të marrë pjesë në 623 vjetorin e Betejës Mesjetare të Kosovës, të cilën komuniteti serb e quan “Vidovdan”.
Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë vetë Bogdanoviç, i cili ka thënë se arsyeja e moslejimit të hyrjes së tij në Kosovë është për shkak se ai i mbështet institucionet e Serbisë në Kosovë.
“Kjo është arsyeja, por mendoj se një gjë e tillë është aq ironike sa nuk e kuptoj një formë të tillë të përgjigjes. Nuk mundet askush që të më disiplinojë në atë mënyrë se si do të sillem unë politikisht”, – ka thënë ministri serb Bogdanoviç.
Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Bajram Rexhepi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se arsyeja e këtij ndalimi ndaj Bogdanoviçit është fakti se në të kaluarën ai nuk u është përmbajtur udhëzimeve të institucioneve të Kosovës që gjatë vizitave në Kosovë të mos bëjë deklarata politike. Ai ka paralajmëruar edhe arrestimin e Bogdanoviçit nëse ky i fundit tenton që në Kosovë të hyjë ilegalisht.
“Sigurisht që po. Nëse hyn në mënyrë ilegale, kjo cenohet me ligj dhe policia e ka për detyrë të arrestojë dhe të deportojë menjëherë”, – ka thënë ministri Rexhepi.
27 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)