Komiteti i Marrëdhënieve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve votoi të mërkurën përgjatë linjave partiake për t’i dhënë Presidentit Joe Biden fuqinë për të ndaluar TikTok-in në pronësi kineze, në atë që do të ishte kufizimi më i gjerë i SHBA-së për çdo aplikacion të mediave sociale.
Ligjvënësit votuan 24 kundër 16 për të miratuar masën për t’i dhënë administratës kompetenca të reja për të ndaluar aplikacionin në pronësi të ByteDance – i cili përdoret nga mbi 100 milionë amerikanë – si dhe aplikacione të tjera që konsiderohen si rreziqe sigurie.
“TikTok është një kërcënim për sigurinë kombëtare… Është koha për të vepruar,” tha Përfaqësuesi Michael McCaul, kryetar republikan i komitetit që sponsorizoi projektligjin.
“Çdokush me TikTok të shkarkuar në pajisjen e tij i ka dhënë CCP (Partisë Komuniste të Kinës) një derë të pasme për të gjithë informacionin e tyre personal. Është një tullumbace spiune në telefonin e tyre.”
Demokratët e kundërshtuan projektligjin, duke thënë se ai ishte i nxituar dhe kërkonte kujdesin e duhur përmes debatit dhe konsultimit me ekspertët. Projektligji nuk specifikon saktësisht se si do të funksiononte ndalimi, por i jep Biden fuqinë për të ndaluar çdo transaksion me TikTok, i cili nga ana tjetër mund të parandalojë këdo në Shtetet e Bashkuara nga aksesi ose shkarkimi i aplikacionit në telefonat e tyre.
Projektligji do të kërkonte gjithashtu që Biden të vendosë një ndalim për çdo subjekt që “mund” të transferojë të dhëna personale të ndjeshme tek një ent që i nënshtrohet ndikimit të Kinës.