Studimi
Një aktivist kundër teknologjisë së re publikon dokumentin tronditës
Minjtë që ushqehen përgjatë të gjithë jetës së tyre me një lloj misri të modifikuar gjenetikisht vuajnë nga tumore dhe dëmtime të shumëfishta të organeve, bëhet e ditur nga një studim francez i publikuar të mërkurën.
Megjithëse shkencëtari i kërkimit njihet si kritik i ashpër i industrisë dhe ekspertët e tjerë kanë vënë në dyshim konkluzionet, zbulimi pritet të shkaktojë më shumë debat mbi sigurinë e konsumit të bimëve të modifikuara gjenetikisht.
Kompania që prodhon farën e misrit të modifikuar, “Monsato”, nuk pranoi të komentojë studimin, por ka deklaruar më herët se produktet e saj janë të sigurta për konsum si nga njerëzit, ashtu edhe nga kafshët. Në Francë, kundërshtimi i ashpër ndaj teknologjisë së re ka sjellë ndalim të rritjes së bimëve të tilla. Studimi thotë se minjtë që u ushqyen me misrin e modifikuar vdiqën më herët nga ata që patën një dietë standarde. Studimi tha se 50 për qind e minjve meshkuj dhe 70 për qind e atyre femra ngordhën para kohe.
Por Alan Boobis, një profesor në Londër, i cili nuk qe angazhuar në studim, thotë se mënyra e organizimit të testimit e bën të vështirë të dalësh në konkluzione mbi rëndësinë e rezultatit.
“Nuk ka ndonjë analizë statistike për tumoret te minjtë, gjë që e bën të vështirë t’i marrësh rezultatet si domethënëse”, thotë ai. Bimët janë modifikuar gjenetikisht në mënyrë që të rriten në situata klimaterike më sfiduese se sa zakonisht dhe të preken më pak se sa bimët e zakonshme nga sëmundjet. Këto bimë janë në gjendje të japin rendiment shumë më të lartë dhe disa ekspertë besojnë se kjo teknologji do të shpëtojë botën nga uria në dekadat e ardhshme.