Dy vëzhgues të lartë ushtarakë thonë se panë një objekt misterioz të zi, në formë trekëndëshi, që fluturonte me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe në pjesën perëndimore të SHBA-ve në fillim të këtij viti. Ky është rasti më i fundit në serinë e raportimeve për UFO-t, të publikuara të premten nga administrata Trump.
Sipas raportit të tyre për Departamentin e Mbrojtjes, objekti i paidentifikuar nuk shfaqte asnjë nga karakteristikat e një avioni ushtarak konvencional. Ai u zhduk papritur dhe në heshtje brenda pak sekondash, pa lënë pas gjurmë gazrash nga motori apo ndonjë provë tjetër të ekzistencës së tij.
Vendndodhja e këtij episodi është mbajtur e fshehtë në dokument.
Fenomeni i cilësuar si “fenomen anormal i paidentifikuar” (UAP), një term që ka zëvendësuar UFO-n në qarqet ushtarake, qeveritare dhe shkencore, u përshkrua nga vëzhguesit si i ngjashëm me një dron me krahë në formë trekëndëshi dhe shtrirje nga 2,75 deri në 4,5 metra.
Ata përllogaritën se shpejtësia e tij ishte rreth 2.900 km/orë
Njësoj si me shumë dokumente të tjera të klasifikuara për UFO-t që Pentagoni ka publikuar prej majit, shumë detaje mbeten të paqarta.
Në dosjen për “trekëndëshat e zinj” përfshihen nëntë imazhe identike të të njëjtit kanion të paidentifikuar, ku janë shtuar në mënyrë të papërpunuar silueta të vogla trekëndore, me qëllim që të paraqitet lëvizja e objektit që vëzhguesit thanë se kishin parë.
Pas një vale fillestare publikimesh, dokumentet e publikuara nga Pentagoni gjatë administratës së dytë të Trumpit janë bërë më të rralla muajt e fundit dhe dukshëm më të pakta që kur presidenti amerikan deklaroi në shkurt se po urdhëronte zbulimin e plotë të informacionit që qeveria disponon për UFO-t dhe për kërkimet mbi jetën jashtëtokësore përtej planetit tonë.
Kjo nismë erdhi pas akuzave të ngritura në Kongres në vitin 2023 nga një ish-zyrtar i inteligjencës, i cili pretendoi se administratat e njëpasnjëshme kishin mbuluar të vërtetën dhe se qeveria zotëronte mjete fluturuese jashtëtokësore të rrëzuara.
Publikimi përmban më pak se 25 dokumente tekstuale dhe asnjë video apo fotografi.
