Një influencuese dhe modele braziliane ka humbur jetën në rrethana ende të paqarta në Dubai, ndërsa autoritetet po hetojnë të gjitha pistat e mundshme që lidhen me ngjarjen tragjike.

Bëhet fjalë për Kawana Bilhar, 27 vjeç, e njohur në rrjetet sociale për përmbajtjen e saj mbi udhëtimet dhe stilin e jetesës. Sipas raportimeve, ajo humbi jetën pasi ra nga kati i 27-të i një godine apartamentesh në Dubai.

Lajmi për vdekjen e saj u bë publik më 7 korrik nga nëna e saj, Darla Bilhar, e cila shprehu dhimbjen e madhe për humbjen e së bijës. “Nuk ka fjalë që mund të shprehin madhësinë e mungesës që ke lënë pas”, shkroi ajo në një mesazh prekës.

Sipas mediave, policia e Dubait po heton të gjitha pistat, përfshirë mundësinë e një aksidenti, vetëvrasjeje apo vrasjeje. Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë një version zyrtar mbi shkaqet e ngjarjes.

Nëna e 27-vjeçares ka udhëtuar drejt Dubait për të ndjekur nga afër hetimet dhe për të organizuar kthimin e trupit të vajzës së saj në Brazil. Ndërkohë, data e saktë e vdekjes së Kawana Bilhar nuk është bërë ende e ditur. Pas publikimit të lajmit, nëna e saj u ka bërë thirrje përdoruesve të rrjeteve sociale të tregojnë respekt për kujtimin e së bijës, pasi profilët e saj janë mbushur me komente fyese dhe spekulime.