Një ngjarje misterioze po tërheq vëmendjen në Norvegji, pas vdekjes së 25-vjeçarit Edward Juul Rod-Larsen, i cili u gjet pa shenja jete në Oslo.
Rasti ka marrë jehonë edhe për shkak të familjes së tij. Prindërit e të riut, diplomatë të njohur norvegjezë, janë përfshirë në verifikime nga autoritetet norvegjeze dhe franceze lidhur me kontakte të mundshme me financierin famëkeq amerikan Jeffrey Epstein.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, hetimet janë fokusuar te Terje Rod-Larsen dhe Mona Juul, pas publikimeve që i lidhin ata me rrethin shoqëror të Epstein.
Dyshimet u shtuan pasi në dokumentet e testamentit të Epstein u përmend një fond prej rreth 10 milionë dollarësh, i cili thuhet se ishte parashikuar për Edwardin dhe motrën e tij binjake, Emma. Shuma e raportuar është krahasuar nga mediat me fondet që përflitet se i janë lënë edhe Ghislaine Maxwell.
Megjithatë, familja ka mohuar të ketë përfituar ndonjëherë para nga kjo dispozitë, duke deklaruar se ekzistencën e saj e kanë mësuar vetëm përmes raportimeve mediatike.
Po ashtu, familjarët theksojnë se as Edwardi dhe as motra e tij nuk kanë qenë ndonjëherë objekt hetimi apo akuze nga autoritetet.
