Një teori konspirative pretendon se disa shkencëtarë të njohur, të përfshirë në fusha të ndjeshme si kërkimi për jetën jashtëtokësore, janë zhdukur ose kanë humbur jetën në rrethana të dyshimta.

Lista në fjalë, ku përfshihen mbi dhjetë studiues të raportuar si të vdekur apo të zhdukur, është bërë virale online dhe po përdoret nga teoricienët e konspiracionit si “provë” për skenarë të errët. Megjithatë, autoritetet dhe ekspertët hedhin poshtë këto pretendime, duke theksuar mungesën e fakteve konkrete.

Raportohet se disa nga rastet lidhen me institucione të rëndësishme kërkimore si Laboratori i Propulsionit Reaktiv i NASA-s dhe Laboratori Kombëtar i Los Alamos, por hetimet paraprake tregojnë se rrethanat janë të ndryshme dhe pa lidhje të drejtpërdrejtë mes tyre. Në disa raste, shkaqet e vdekjes nuk janë bërë publike, ndërsa hetimet vijojnë.

Çështja ka tërhequr edhe vëmendjen e institucioneve të larta amerikane, përfshirë Kongresin dhe Shtëpinë e Bardhë. Ndërkohë, agjencitë federale, përfshirë FBI-në, janë duke bashkëpunuar për të verifikuar nëse ekziston ndonjë element i përbashkët, por deri tani nuk ka prova për një veprimtari të organizuar kriminale.

Ish-agjentja speciale e FBI-së, Jennifer Coffindaffer, në një prononcim për Newsweek, thekson se teori të tilla lindin lehtësisht kur rastet individuale nxirren jashtë kontekstit të tyre. Sipas saj, një konspiracion i mirëfilltë do të shfaqte modele të qarta dhe të përsëritura, gjë që mungon në këto raste.

Ajo shton se lista përfshin individë nga fusha dhe institucione të ndryshme, me role dhe nivele të ndryshme sigurie, çka e bën të pabesueshme idenë e një operacioni të koordinuar për të fshehur apo eliminuar kërkime të caktuara shkencore.