Christian Brueckner, i dyshuari kryesor për zhdukjen pa gjurmë të Madeleine McCann, vajzës së vogël që humbi pa gjurmë në Portugali në vitin 2007, është liruar nga burgu në Gjermani pasi vuajti dënimin për përdhunim në një rast tjetër. Prokurori gjerman Christian Wolters nuk mundi ta parandalonte lirimin për shkak të provave të pamjaftueshme për të justifikuar një ndjekje penale.

Në një intervistë të kohëve të fundit, Wolters shprehu shqetësim në lidhje me lirimin e një individi “thelbësisht të rrezikshëm”.

Brueckner përfundoi një dënim prej 7 vitesh e gjysmë lidhur me rastin e përdhunimit të një turisteje amerikane në Portugali në vitin 2005. Me t’u liruar nga burgu, hipi menjëherë në makinën e avokatit të tij, siç raportoi gazeta gjermane Bild.

Brueckner i lirë, por pasaporta e sekuestruar

Që nga viti 2020, policia dhe prokuroria e Braunschweigut kanë besuar se personi në fjalë mund të jetë i përfshirë drejtpërdrejt në zhdukjen e Maddie-s, ndaj janë urdhëruar hetime të reja në Praia da Luz të Portugalisë, në muajt e fundit. Megjithatë, aktualisht nuk ka prova konkrete për të mbështetur një akuzë.

Fakti është se tani Brueckner është një njeri i lirë, por hetuesit kanë arritur t’i sekuestrojnë pasaportën, duke e detyruar të mos largohet nga Gjermania. Sipas mediave gjermane, ai do të detyrohet gjithashtu të mbajë një byzylyk elektronik, çka është e zakonshme në raste të tilla.