Një sistem i njohjes së fytyrës me Inteligjencë Artificiale do të përdoret nga viti i ardhshëm në kufijtë e Mbretërisë së Bashkuar për të identifikuar emigrantët e rritur që pretendojnë se janë fëmijë.
Teknologjia do të analizojë fotografitë e personave të marra në kufi për të vlerësuar moshën e tyre dhe synon të ndihmojë autoritetet në identifikimin e rasteve të mashtrimit në sistemin e azilit.
Ministria e Brendshme deklaroi se testimet fillestare kanë treguar “performancë dhe saktësi premtuese” dhe se sistemi do të ndihmojë në zbulimin e emigrantëve të rritur “që përpiqen të manipulojnë sistemin”.
Një kontratë për zhvillimin dhe testimin e teknologjisë i është dhënë kompanisë Akhter Computers Ltd me seli në Harlow. Projekti do të kushtojë 322 mijë paund gjatë tre viteve dhe pritet të lançohet në mesin e vitit 2027, pas testimeve në terren.
BBC shkruan se sipas planit, teknologjia do të testohet fillimisht në raste reale të azilkërkuesve në qendrën e përpunimit Western Jet Foil në Dover.
Qeveria britanike argumenton se përdorimi i inteligjencës artificiale është mënyra më “kosto-efektive” për të kryer vlerësimin e moshës së emigrantëve, ndërsa sistemi aktual mbështetet në kontrolle dokumentesh, intervista, rreze X dhe skanime MRI.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, gjatë vitit që përfundoi në mars 2026, më shumë se 6,400 emigrantë që pretendonin se ishin fëmijë iu nënshtruan verifikimit të moshës dhe 43% e tyre rezultuan të ishin të rritur.
Po ashtu, Mbretëria e Bashkuar regjistroi 111,084 kërkesa për azil në vitin që përfundoi në qershor 2025, një rritje prej 14% krahasuar me një vit më parë.
Ministri për Sigurinë Kufitare dhe Azilin, Alex Norris, tha se emigrantët e rritur që bëjnë pretendime të rreme për moshën “kanë shfrytëzuar sistemin dhe kanë devijuar mbështetjen jetësore nga fëmijët në rrezik”.
“Kjo teknologji do të ndihmojë që ata që manipulojnë sistemin të identifikohen, të ndalohen dhe të largohen pa vonesë, ndërsa fëmijët që kanë nevojë për mbrojtje do ta marrin atë”, deklaroi Norris.
Megjithatë, organizatat për të drejtat e njeriut kanë kundërshtuar ashpër projektin. Human Rights Watch e cilësoi teknologjinë si “të paprovuar” dhe paralajmëroi se përdorimi i saj mund të cenojë të drejtat e fëmijëve refugjatë.
Studiuesja e lartë për inteligjencën artificiale në Human Rights Watch, Anna Bacciarelli, tha se përdorimi i teknologjisë për të përcaktuar nëse një fëmijë meriton mbrojtje ligjore është “mizor dhe i paarsyeshëm”.
Ajo shtoi se teknologjia e njohjes së fytyrës është përdorur deri më tani kryesisht në dyqane dhe bare dhe jo në qendrat e përpunimit të refugjatëve, duke vënë në dyshim saktësinë dhe etikën e përdorimit të saj në raste kaq të ndjeshme.
