Tatiana Schlossberg, mbesa e ish-presidentit amerikan John F. Kennedy dhe gazetare e njohur për raportimet mbi ndryshimet klimatike, ka ndërruar jetë në moshën 35-vjeçare. Lajmi u bë i ditur nga familja e saj përmes Fondacionit të Bibliotekës Kennedy.
Në një njoftim, familjarët shprehën dhimbjen për humbjen e saj, duke theksuar se ajo do të mbetet gjithmonë në zemrat e tyre. Schlossberg kishte bërë publike në muajin nëntor se ishte diagnostikuar me një formë agresive të kancerit dhe se prognoza e mjekëve ishte e rëndë.
Ajo zbuloi se vuante nga leuçemia akute mieloide, diagnozë e vendosur në maj të vitit 2024, pak pas lindjes së fëmijës së saj të dytë. Në një ese të botuar së fundmi, Schlossberg rrëfeu betejën e saj me sëmundjen dhe trajtimet e vështira që përfshinin kimioterapi dhe transplant të palcës së kockave.
Tatiana Schlossberg ishte vajza e Caroline Kennedy dhe Edwin Schlossberg, si dhe autore e librit “Konsumi i Padukshëm”, ku trajtonte ndikimin mjedisor të stilit modern të jetesës. Ajo kontribuoi gjithashtu me shkrime për media të njohura ndërkombëtare dhe u vlerësua për përkushtimin e saj ndaj çështjeve të klimës dhe mjedisit.
Miq, kolegë dhe figura publike kanë shprehur homazhe për jetën dhe veprën e saj, duke e kujtuar si një zë të guximshëm, të ndjeshëm dhe të angazhuar për një botë më të ndërgjegjshme dhe të qëndrueshme.
