Një nënë e re ka ndërruar jetë tragjikisht pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në hundë nga një mjek që dyshohet se nuk ishte i kualifikuar. Miriam Mitma Yalli, 37 vjeçe, iu nënshtrua ndërhyrjes kozmetike më 10 nëntor pasi kaloi testet para operacionit. Por, sipas anëtarëve të familjes, nënës së dy fëmijëve iu dha një dozë më e lartë anestezie sesa kërkonte trupi i saj.
Minuta pasi iu dha doza, Miriam thuhet se pësoi arrest kardiak. Pas disa ditësh në kujdes intensiv, ajo u diagnostikua me leukoencefalopati hipoksike-anoksike, një gjendje e shoqëruar me një mungesë të rëndë të oksigjenit në tru. Miriam, fëmijët e së cilës janë 15 dhe 5 vjeç, mbylli sytë përgjithmonë në një spital në Huancayo, Peru, më 8 dhjetor.
Burri i saj Daniel Gómez Rufasto ka kërkuar një hetim. Familja e Miriam e ka kritikuar ashpër mjekun dhe e ka akuzuar atë se nuk ishte i kualifikuar për operacionin. Nëna e viktimës tha: “Vajza ime ishte e shëndetshme, vetëm një operacion dhe kjo ndodhi. Dua drejtësi për vajzën time.” Anëtarët e familjes dhe vendasit simpatizues organizuan një protestë në selinë e Ministrisë Publike në Hualhuas për të kërkuar drejtësi për Miriamin.
Autoritetet ende po presin rezultatet e një autopsie për të vendosur për veprimin e mëtejshëm. Ata po vazhdojnë të mbledhin dëshmi dhe informacione për të sqaruar rrethanat e përkeqësimit të papritur të shëndetit të viktimës.



