Teksa Serbia po përgatitet të përcjellë Ratko Mlladiç në banesën e fundit me të gjitha nderimet, nga familjarët e “Kasapit të Ballkanit” vinë akuza të rënda.
Djali i ish-gjeneralit të dënuar për krime lufte, Darko Mlladiç ka dalë në një konferencë për shtyp, së bashku me doktorin Ognjen Gudelj, i cili ishte me gjeneralin Mlladiç deri ditën e fundit. Darko Mlladiç ka thënë se babai i tij u vra në Hagë, pasi nuk iu dha shërbimi i duhur për sëmundjen nga e cila ai vuante.
“Qëndrimi im personal dhe qëndrimi i familjes është se vrasja e gjeneralit Mlladiç në Tribunalin e Hagës u krye nga trajtimi neglizhent. Ata i dhanë ilaçe shumë të forta, gjë që përfundimisht çoi në vdekjen e tij. Për të gjitha detajet dhe lëshimet që ne besojmë se janë bërë nga shërbimi mjekësor i OKB-së, Dr. Gudelj ishte i pranishëm atje, i cili kishte shkuar atje për vite me radhë dhe kishte aq shumë njohuri sa i ishte lejuar të merrte informacione për mënyrën se si po trajtohej babai im, domethënë, si nuk po trajtohej. Do të doja të thoja edhe një detaj shumë të rëndësishëm. Babai im mori kujdes të mirë në Tribunalin e Hagës, por kujdesi dhe trajtimi nuk janë të njëjta gjë. Mund ta fusësh një burrë në një hotel me shtatë yje, por nëse e trajton gabim, nuk mund ta shpëtosh. Tribunali manipulon kushtet në spital gjatë gjithë kohës, por për të mos hyrë shumë në detaje, thelbi është ajo që ju thashë, megjithëse kushtet e kujdesit ishin të mira, ai nuk mori trajtim të përshtatshëm dhe në fund vdiq si pasojë e atij trajtimi neglizhent – tha Darko.
Edhe doktori Ognjen Gudelj mbajti të njëjtin qëndrim duke thënë se ish-gjeneralit nuk i matej tensioni çdo ditë edhe pse vuante nga zemra, nuk i matej. Po ashtu ai thotë se nuk i është matur niveli i diabetit dhe i është dhënë fentanil, një drogë e fortë që shpesh dëmton veshkat. Sipas mjekut, kjo ka përshpejtuar vdekjen e Mlladiç.
“Është shumë e vështirë për mua ta them sot, por duke pasur parasysh se kam bërë betimin e Hipokratit dhe që gjithë jetën time, si pacientëve ashtu edhe familjeve të tyre, më është dashur tu them të vërtetën, cilado qoftë ajo, pas kaq shumë vitesh trajtimi nga Gjenerali Mlladiç, me keqardhje të madhe duhet të them diçka që mendoja se nuk do ta thoja kurrë në jetën time dhe nuk do ta tregoja për askënd, por po, ajo që tha Darko Mladiç është e vërtetë. Gjenerali Mlladiç u vra në Tribunalin e Hagës, u vra nga mosveprimi i mjekëve dhe stafit mjekësor të spitalit të paraburgimit në Scheveningen. E dini, kur nuk ia matni tensionin e gjakut dikujt çdo ditë dhe ai është një pacient kardiak. Kur nuk i bëni analiza laboratorike dikujt dhe ai merr ilaçe toksike që nxirren përmes veshkave dhe nuk monitoroni funksionin e veshkave. Është vrasje de facto. Nëse nuk e bëni për një muaj, është vrasje e paramenduar. Nëse nuk i jepni ilaçe për diabetin dhe ai është diabetik, kjo është vrasje. Nëse një koleg nga Serbia vjen tek ju dhe ju thotë: ‘Prisni, çfarë po bëni njerëz? Ku janë vlerat e tensionit të gjakut për muajin e fundit?’, ‘Epo, vendosëm të mos ia masim tensionin’. E dini, është një tronditje e madhe për mua si kardiolog, mjek, person. ‘Dhe më falni, a mund t’i shoh analizat e tij laboratorike, vetëm që të di se mbi çfarë baze i jepni ilaçe të caktuara ose i përjashtoni ato’, pyes unë. ‘E dini, vendosëm të mos i bëjmë analizat laboratorike sepse duam ta kursejmë nga dhimbja’. Është e vështirë të dëgjosh të gjitha këto, që dikush të bën budalla, përmendin dhimbjen nga shpimi i gjilpërës për një burrë të shtrirë në shtrat, është e vështirë t’i kuptosh të gjitha, veçanërisht kur flet me mjeken nga ana tjetër dhe e pyet: ‘Mbi çfarë baze jep ilaçe? Mbi çfarë baze e vlerëson diabetin?’, ‘Epo, e dini, vendosëm t’i injektojmë ilaçe për diabetin’. Në atë moment, kupton se djalli ka bërë shaka dhe se nuk ka mbetur kohë dhe se familja nuk është informuar për këtë dhe se merr një listë ku tregohet se atij i është dhënë ilaçi fentanil për një muaj. Fentanili është një drogë narkotike, ku një pjesë e caktuar e metabolitëve të saj nxirret nga veshkat dhe çon në ndërprerjen e urinimit. Gjeneralit i ishte vendosur një kateter, që do të thotë se veshkat kanë pushuar së punuari dhe është çështje ditësh kur jeta e tij do të marrë fund”– tha Dr. Gudelj.
Kujtojmë se Ratko Mlladiç, autori i një sërë masakrash në Ballkan, vdiq pas hekurave në Hagë. Ai kishte bërë kërkesë që vitet e fundit të jetës t’i kalonte në Serbi, pasi ishte i sëmurë, megjithatë gjykata nuk e lejoi.
