Momente tensioni janë regjistruar në Aeroportin Ndërkombëtar të Birminghamit, në Britaninë e Madhe, pasi një avion pasagjerësh i kompanisë Jet2 doli për pak çaste nga pista gjatë uljes. Avioni Boeing 737-800, i cili po mbërrinte nga Venecia, u përball me erëra të fuqishme të shkaktuara nga stuhia Boelo. Si pasojë e kushteve të vështira atmosferike, avioni devijoi nga trajektorja e tij dhe përfundoi për disa sekonda në sipërfaqen me bar pranë pistës.

Pamjet e publikuara tregojnë momentin kur erërat e forta e shtyjnë avionin anash, ndërsa piloti përpiqet të ruajë kontrollin dhe ta rikthejë në pistë. Pavarësisht situatës së rrezikshme, ekuipazhi arriti ta stabilizonte avionin dhe ta kthente në pistë, duke shmangur një incident më të rëndë.

Fatmirësisht, të gjithë pasagjerët zbritën të sigurt dhe nuk u raportua asnjë person i lënduar. Ngjarja ka tërhequr vëmendje pas publikimit të videos, e cila tregon vështirësitë që mund të shkaktojnë erërat e forta gjatë manovrave të uljes së avionëve.