Momente të frikshme kanë përjetuar pasagjerët e një avioni që ishte nisur nga Selaniku me destinacion Mynihun, pasi gjatë fluturimit ndodhi një defekt serioz në motor, i cili shkaktoi dëmtimin e një prej dritareve të avionit dhe dekompresimin e kabinës.

Sipas mediave të huaja, si pasojë e presionit të menjëhershëm, një 61-vjeçar nga Serbia u tërhoq me forcë drejt dritares së dëmtuar. Ai u shpëtua falë reagimit të menjëhershëm të bashkëshortes së tij, e cila arriti ta mbante në sedilje deri në ndërhyrjen e ekuipazhit.

Raportohet se defekti në motor bëri që disa pjesë metalike të shkëputeshin gjatë fluturimit. Fragmentet goditën trupin e avionit, duke çarë një nga dritaret dhe duke shkaktuar humbje të menjëhershme të presionit në kabinë.

Pasi konstatoi avarinë, piloti aktivizoi menjëherë procedurat e emergjencës dhe mori autorizimin për t’u rikthyer në Aeroportin e Maqedonisë në Selanik, prej nga ishte nisur vetëm pak minuta më parë.

Avioni u ul pa incidente të tjera dhe u dërgua në një zonë të veçantë të aeroportit, ku u kryen kontrollet e nevojshme teknike dhe të sigurisë. Më pas, kompania ajrore organizoi një fluturim tjetër, me të cilin pasagjerët vijuan udhëtimin drejt Mynihut.

Pas incidentit, katër persona u transportuan në spital. Tre prej tyre u mbajtën nën vëzhgim vetëm si masë paraprake dhe janë larguar tashmë, ndërsa një pasagjer vazhdon të marrë trajtim mjekësor, por ndodhet në gjendje të lehtë.