Tre punëtorë ndërtimi rrezikojnë të vdesin, pasi kanë mbetur në rrënojat e një ndërtese që u shemb papritur, teksa ishte në ndërtim, në një qytet të Maltës.

Mes personave të lënduar, deri më tani, ka edhe shqiptarë. Mediat në Maltë raportojnë se tre shqiptarë kanë marrë lëndime, teksa nuk dihet nëse ndonjëri prej punëtorëve të mbetur në rrënojat e ndërtesës është nga Shqipëria.

Pesë punëtorët e gjetur nga grupet e ekip-shpëtimit janë identifikuar si tre shqiptarë, një maltez dhe një tjetër nga Bosnja, tha policia.

Nga personat e plagosur, raportohet se tre janë në gjendje më të rëndë, ndërsa dy të tjerët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë mediat në Maltë kanë publikuar edhe pamjet e frikshme të shembjes së ndërtesës, moment i kapur nga kamerat e sigurisë.