Kerry pohon domosdoshmërinë e dialogut, por thekson tërheqjen e presidentit Assad


usa russia syria bisedimet_1Pas një kohe të gjatë mosmarrëveshjesh e debatesh, duket se hapi i djeshëm mund të cilësohet historik, të paktën nisur nga konteksti aktual. Mediat ndërkombëtare që i referoheshin Pentagonit, kanë njoftuar dje se ministrat e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë kanë zhvilluar bisedimet e para në lidhje me konfliktin në Siri. Sekretari i Mbrojtjes, Ashton Carter, ka folur me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu mbi mundësinë e tejkalimit të mosmarrëveshjeve, thuhet në një deklaratë zyrtare të Uashingtonit me këtë rast. Lajmi për bisedën telefonike mes Carter dhe Shoigu vjen pak pasi sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry deklaroi se Shtetet e Bashkuara shpresonin se, një bisedë mes krerëve ushtarakë do të zhvillohej së shpejti. Dy shefat e mbrojtjes diskutuan për atë që në njoftimin zyrtar citohet të ketë qenë “shkonfliktizimi” e ku nënvizohet se “bisedimet kanë qenë konstruktive”. Më parë, Presidenti amerikan, Barack Obama i kishte konsideruar bisedimet ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për çështjen e Sirisë, si hapi i radhës i rëndësishëm, sipas kryediplomatit amerikan. Ndërsa po shton praninë e saj ushtarake në Siri, menjëherë pas publikimit të fjalëve të sekretarit amerikan të Shtetit, ka reaguar edhe Kremlini për të konfirmuar se edhe Moska është e gatshme për bisedime me Shtetet e Bashkuara. “Ne nuk kemi refuzuar kurrë dialogun me Shtetet e Bashkuara”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova. “Jemi të hapur për to, për të gjitha çështjet me shqetësim të përbashkët, përfshi edhe Sirinë”. Në një takim në Londër me ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed, Kerry tha se Presidenti amerikan shpreson që diskutimet të “mund të ndihmojnë në përcaktimin e disa opsioneve të ndryshme të mundshme për ne, përpara se të konsiderojmë hapat e ardhshme në Siri”. “Fokusi ynë kryesor mbetet shkatërrimi i militantëve të Shtetit Islamik dhe gjetja e një zgjidhjeje politike në respektim të plotë të Sirisë, gjë që ne besojmë se nuk mund të arrihet me një prani afatgjatë të Presidentit Assad”, tha Kerry për reporterët. “Ne jemi duke shqyrtuar mundësi të ndryshme për të gjetur terrenin e përbashkët me rusët”. Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë ashpër mbështetjen e Rusisë ndaj Assadit, ndërkohë që Pentagoni ndërpreu bisedimet e nivelit të lartë ushtarak me Moskën, që kur kjo e fundit vendosi të aneksonte Krimenë e më pas të ndërhynte në rajonet lindore të Ukrainës. Por, prania ushtarake e Rusisë në bazën ajrore siriane të Latakias shton mundësinë e misioneve luftarake në hapësirën ajrore siriane. Pajisjet e rënda ushtarake, përfshi edhe tanket, helikopterët dhe forcat detare të këmbësorisë, janë zhvendosur për në Latakia, thanë zyrtarë amerikanë. Më herët, një burim nga ushtria siriane tha se trupat kanë nisur të përdorin edhe armët e reja me të cilat janë furnizuar nga Rusia, ku përfshihen sisteme ajrore dhe tokësore.