Një valë të ftohti po përfshin Europën dhe duket se nisur të ndikojë edhe në Ballkan dhe rajonin e Mesdheut. Raportohet se fundjava do të karakterizohet nga moti i paqëndrueshëm me stuhi të forta, reshje intensive dhe rënie të ndjeshme temperaturash.
Sipas analizës së publikuar nga “Severe Weather Europe”, një masë e fuqishme ajri të ftohtë është zhvendosur drejt jugut të Europës, duke u përplasur me ajrin e ngrohtë dhe të lagësht mbi Mesdhe. Ky fenomen pritet të sjellë disa ditë me kushte ekstreme atmosferike në Itali, përgjatë Adriatikut dhe në Ballkanin Perëndimor.
Sipas meteorologëve, pritet formimi i stuhive të organizuara, të cilat mund të shoqërohen me breshër të fuqishëm, erëra të forta dhe përmbytje lokale, veçanërisht në zonat bregdetare dhe ato malore. Reshjet më intensive pritet të regjistrohen përgjatë vargmaleve të Apenineve dhe Alpeve Dinarike, ku në disa zona sasia e shiut mund të kalojë 100 deri në 150 milimetra brenda pak ditësh.
Ndërkohë, temperaturat kanë rënë ndjeshëm nën normalen e muajit maj në disa pjesë të Europës, me vlera deri në 10–14 gradë më të ulëta se mesatarja sezonale. Në disa rajone malore priten edhe reshje dëbore, ndërsa në Alpe parashikohen deri në 50 centimetra borë të re.
