Një stuhi e fuqishme dimërore ka përfshirë disa shtete të Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar humbjen e jetës së të paktën 17 personave dhe ndërprerje masive të energjisë elektrike për qindra mijëra qytetarë.
Sipas autoriteteve, viktima janë raportuar në Nju Jork, Tenesi, Luiziana, Masaçusets, Kansas, Pensilvani dhe Teksas, ndërsa mes të ndjerëve është edhe një vajzë 16-vjeçare. Kushtet ekstreme të motit kanë paralizuar transportin ajror, me mbi 10 mijë fluturime të anuluara, si dhe kanë çuar në mbylljen e shkollave dhe rrugëve në shumë zona të vendit.
Reshjet e dendura të borës gjatë fundjavës krijuan kaos të madh, veçanërisht në rajonet qendrore dhe lindore të SHBA-së, duke ndikuar seriozisht në shërbimet publike dhe qarkullimin rrugor. Ndërkohë, Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëron se, edhe pse intensiteti i reshjeve pritet të ulet, temperaturat shumë të ulëta do të vijojnë në ditët në vijim.
Paralajmërimet e motit të ashpër shtrihen nga Teksasi në jug deri në Anglinë e Re në verilindje. Stuhia ka ndikuar gjithashtu edhe në Kanada, ku në Toronto janë regjistruar reshje rekord dëbore në aeroportin Pearson, duke shkaktuar vonesa dhe anulime të shumta fluturimesh.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet e emergjencës, ndërsa kushtet e motit mbeten të rrezikshme.
