Një aksident tragjik me tramvaj ka tronditur kryeqytetin portugez, duke shkaktuar 16 viktima dhe mbi 20 të plagosur, mes tyre edhe turistë të huaj. Ngjarja ka ndodhur në një prej linjave më të frekuentuara të qytetit, ndërsa shkaqet e plota ende nuk janë bërë të ditura.

Mes viktimave është edhe një shtetas gjerman, babai i një fëmije 3-vjeçar, i cili është shpëtuar mrekullisht nga rrënojat dhe është nxjerrë i gjallë nga ekipet e shpëtimit. Nëna e tij ndodhet mes të plagosurve, aktualisht nën kujdesin e mjekëve.

Skenat në vendin e ngjarjes kanë qenë tronditëse. Dëshmitarët flasin për kaos, ulërima dhe panik në momentin e përplasjes, ndërsa forcat e emergjencës kanë ndërhyrë menjëherë për të shpëtuar të mbijetuarit.

Autoritetet lokale kanë nisur një hetim të plotë, ndërsa janë urdhëruar kontrolle emergjente në të gjithë rrjetin e tramvajeve të qytetit. Kompania e transportit publik Carris ka njoftuar se ka hapur edhe një hetim të pavarur për zbardhjen e shkaqeve.

Shpëtimi i fëmijës së vogël është cilësuar si një nga momentet e vetme të shpresës në këtë tragjedi të rëndë, duke sjellë një grimcë lehtësimi për ekipet e emergjencës dhe qytetarët.

Ndërkohë, autoritetet kanë bërë thirrje për gjak në spitalet e zonës dhe kanë vënë në gatishmëri të gjitha strukturat për përballimin e situatës. Hetimet vazhdojnë.