Një nga momentet më prekëse pas tërmeteve shkatërruese që goditën Venezuelën u regjistrua në Karabageda, ku një djalë 11-vjeçar u nxor i gjallë nga rrënojat, tre ditë pas katastrofës.

Fëmija, i quajtur Moises, u gjet i bllokuar nën rrënoja dhe u shpëtua pas një operacioni të gjatë të ekipeve të kërkim-shpëtimit.

Në videon e publikuar nga presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delsy Rodriguez, shihen shpëtimtarët duke transportuar 11-vjeçarin me barelë, pasi ai kishte kaluar më shumë se 70 orë nën rrënoja.

“Pak minuta më parë, një djalë 11-vjeçar u shpëtua në Karabageda. Në këto momente, çdo jetë e shpëtuar është një burim shprese për Venezuelën”, shkroi Rodriguez në një postim në platformën X, duke e shoqëruar mesazhin me pamjet e operacionit të shpëtimit.

Në operacion morën pjesë, ndër të tjerë, anëtarë të ekipit të specializuar USAR Colombia 1, si edhe zjarrfikës nga Bogota, të cilët ndodhen në Venezuelë për të ndihmuar në operacionet e kërkimit dhe shpëtimit.

Ndërkohë, operacionet e kërkimit dhe shpëtimit vijojnë pa ndërprerje në zonat e prekura nga tërmetet, ndërsa autoritetet shpresojnë se, pavarësisht kalimit të ditëve, ende mund të gjenden të mbijetuar nën rrënoja.

Sipas bilancit më të fundit zyrtar, të paktën 1.430 persona kanë humbur jetën, ndërsa 3.238 të tjerë janë plagosur nga dy tërmetet e fuqishme me magnitudë 7.2 dhe 7.5, që goditën Venezuelën me vetëm pak sekonda diferencë të mërkurën.

Autoritetet druhen se numri i viktimave do të rritet ndjeshëm, pasi më shumë se 50 mijë persona rezultojnë ende të zhdukur.

Dëmet e shkaktuara nga dy tërmetet vlerësohen në rreth 7 miliardë dollarë, një shumë që përfaqëson afërsisht 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të Venezuelës, sipas vlerësimit të publikuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Vlerësimi paraprak i UNDP-së, i kryer në orët e para pas katastrofës, bazohet kryesisht në imazhe satelitore dhe të dhëna demografike.

Megjithatë, organizata sqaron se kjo përllogaritje nuk përfshin dëmet në infrastrukturë, pasojat e plota ekonomike apo koston afatgjatë të rindërtimit, duke theksuar se ndikimi real i katastrofës mund të jetë deri në tre herë më i madh.