13-vjeçari, Selendra Haykal Rakanditia mbeti i bllokuar për 72 orë nën rrënoja përpara se të shpëtohej nga ekipet e shpëtimit pas shembjes së një shkolle në Indonezi. Nga shembja e ndërtesës shumë të mitur mbetën të bllokuar ndërsa 13-vjeçari arriti të mbijetonte me plagë të rënda në këmbë.

Nëna e të miturit ishte në shtëpi në qytetin Probolinggo, dy orë larg nga kur mori mesazhin se çfarë kishte ndodhur në shkollën e djalit të saj. Brenda një ore, ajo u nis për në shkollë. Kur mbërriti djali i saj ende nuk ishte gjetur.

“I ndjeva të gjitha emocionet menjëherë: trishtim, panik, të qara. Nuk dija çfarë të bëja,” përshkroi ajo.

Jashtë shkollës, ishin vendosur tabela njoftimesh me emrat e fëmijëve që ishin dërguar në spitale të ndryshme. Nëna kontrolloi nga një listë në tjetrën, duke kërkuar me dëshpërim.

“Kishte gjashtë fëmijë me emrin Haykal, dhe unë vrapova në secilin spital për të parë nëse ishte djali im”, shtoi ajo.

I mituri mbeti i bllokuar nën rrënoja me pesë fëmijë të tjerë. E vetmja rrugë e mundshme shpëtimi ishte bllokuar nga trupi i një shoku klase i cili ndërroi jetë menjëherë. Një copë çimentoje i kishte bllokuar këmbën, duke e bërë operacionin e shpëtimit jashtëzakonisht të vështirë. Pavarësisht kushteve të pafavorshme, ai e ruajti qetësinë. Fëmijët bisedonin me njëri-tjetrin për të qëndruar zgjuar. Hajkali, megjithëse i lënduar lutej duke inkurajuar miqtë e tij të bënin të njëjtën gjë.

Ekipet e shpëtimit arritën ta nxirrnin nga rrënojat dhe ta transportonin në barelë. Nëna e tij po priste në spital. Ai është në kujdes intensiv. Mjekët po luftojnë për të shpëtuar këmbën e tij, e cila u shtyp nga një pllakë betoni. Nga kjo ngjarje e rëndë kanë humbur jetën 5 persona dhe janë plagosur dhjetëra të tjerë.