Një asistente fluturimi është gjetur e gjallë dhe e lidhur ende në sediljen e saj, e cila kishte përfunduar jashtë avionit, raportojnë burime për CBS News, partnerin amerikan të BBC-së.

Sipas këtyre raportimeve, sedilja dyshohet se ka rënë përmes një hapjeje të krijuar në dyshemenë e avionit gjatë incidentit. Asistentja e fluturimit ka pësuar lëndime serioze, por fatmirësisht ato nuk konsiderohen kërcënuese për jetën.

Ndërkohë, aeroporti LaGuardia në Nju Jork është rihapur për operimet ajrore pas një aksidenti ku humbën jetën dy pilotë, pasi një avion i kompanisë Air Canada u përplas me një mjet zjarrfikës në pistë.

Regjistrimet audio nga kulla e kontrollit tregojnë momente tensioni, ku dëgjohet një sinjal alarmi dhe një person që i kërkon vazhdimisht kamionit të ndalet ndërsa po hynte në pistë.

Avioni, që transportonte 73 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit, kishte kryer fillimisht një ulje të sigurt pasi ishte nisur nga Montreali, mbrëmjen e së dielës. Megjithatë, sipas burimeve, përplasja me kamionin ndodhi më pas, ndërsa mjeti ajror lëvizte me një shpejtësi rreth 160 km/orë.

Si pasojë e incidentit, rreth 41 pasagjerë dhe pjesëtarë të ekuipazhit u dërguan në spital me lëndime që varionin nga fraktura deri te plagë të lehta dhe mavijosje. Të gjithë, përveç nëntë personave, janë liruar tashmë nga spitali.

Gjithashtu, dy zjarrfikës që ndodheshin në kamion ndodhen në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.

Një dëshmitar i ngjarjes i tha BBC-së se ndodhej rreth 100 metra larg momentit të përplasjes dhe se pamja ishte tronditëse. “Dukej sikur avioni ishte ndarë në dy pjesë,” u shpreh ai.