Një akt i rëndë kriminal ka tronditur mbrëmjen e së hënës qytetin Campo Ascolano në jug të Romës, ku një pajisje shpërthyese e vendosur nën automjetin e gazetarit të njohur italian, Sigfrido Ranucci, prezantues i emisionit investigativ “Report”, shpërtheu duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 22:00 dhe përfshiu jo vetëm makinën e gazetarit, por edhe automjetin tjetër të familjes dhe fasadën e banesës ku ai jeton. Për fat të mirë, nuk ka persona të lënduar, megjithëse dëmtimet e shkaktuara tregojnë se forca e shpërthimit ka qenë e madhe.

“Report” reagoi menjëherë përmes rrjeteve sociale, duke deklaruar se eksplozivi ishte mjaftueshëm i fuqishëm “për të vrarë këdo që mund të kalonte aty pranë në atë moment”.

Vetë Ranucci, i kontaktuar nga “Corriere della Sera” pak pas orës 02:00, tregoi se vajza e tij kishte parkuar makinën vetëm 20 minuta para shpërthimit. “Ata mund ta kishin vrarë…”, u shpreh ai i tronditur, duke lënë të kuptohet se sulmi mund të lidhet me hetimet e reja që emisioni i tij kishte paralajmëruar publikisht ditë më parë.

Në vendngjarje mbërritën forcat e Karabinierëve, zjarrfikësit dhe ekipi i hetimit mjeko-ligjor. Prokuroria lokale ka hapur një dosje zyrtare hetimore, ndërsa është vënë në dijeni edhe Prefekti i zonës. Sipas të dhënave të paraprake, mendohet se në shpërthim është përdorur të paktën një kilogram eksploziv.