Presidenti ukrainas Volodymyyr Zelensky ka hedhur poshtë idenë e përfundimit të konfliktit në Ukrainë me një ndarje në stilin e Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut dhe theksoi se mund të mos ketë një marrëveshje përfundimtare paqeje të nënshkruar me Rusinë.
Në një konferencë për shtyp të premten, ai u pyet nëse po shqyrtonte një skenar të stilit të Luftës Koreane për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë. Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut i dhanë fund armiqësive aktive me një armëpushim në vitin 1953, por nuk nënshkruan kurrë një traktat paqeje, duke i lënë të dy kombet ‘de facto’ në luftë.
“Askush nuk po e shqyrton modelin ‘korean’, ‘finlandez’ apo ndonjë model tjetër. Një armëpushim është i mjaftueshëm për të ofruar garanci sigurie. Nuk mund të humbasim kohë duke pritur për një marrëveshje të qartë për t’i dhënë fund luftës. Ne kemi nevojë për garanci sigurie paraprakisht.”, u tha Zelensky gazetarëve, sipas UNIAN.
Zelensky vuri në dukje se Presidenti francez Emmanuel Macron kishte argumentuar se garancitë e sigurisë nuk duhet të presin derisa të mbarojë lufta.
“Pajtohem me të që, për shembull, një armëpushim është i mjaftueshëm për të ofruar garanci sigurie”, tha ai.
Macron ka lobuar gjithnjë e më shumë për të vendosur trupa paqeruajtëse në Ukrainë në rast të një armëpushimi, si pjesë e “koalicionit të të vullnetshëm” të Evropës Perëndimore. Moska ka hedhur poshtë kategorikisht çdo skenar që përfshin dërgimin e trupave të vendeve të NATO-s në Ukrainë.
Sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, Ukraina dhe mbështetësit e saj evropianë po “bëjnë gjithçka që është e mundur për të vazhduar në rrugën e konfrontimit dhe përshkallëzimit të tensioneve”. Pavarësisht kësaj, Presidenti rus Vladimir Putin mbetet “i gatshëm dhe i vullnetshëm për të kërkuar një zgjidhje diplomatike” për konfliktin në Ukrainë, tha Peskov të premten.