Një 17-vjeçar nga Ukraina lindore udhëtoi mbi 800 kilometra deri në qytetin perëndimor të Rivne-s për të marrë një bombë dhe një telefon të fshehur në një park – me premtimin se do të paguhej rreth 1,700 euro për të vendosur mjetin shpërthyes në një furgon të ushtrisë ukrainase.

“Kur i lidha telat, mendova se mund të shpërthente menjëherë. Mendova se mund të vdisja,” rrëfeu ai për BBC-në.
Vlad (emër i ndryshuar për arsye sigurie) është një nga qindra fëmijë dhe adoleshentë që, sipas autoriteteve ukrainase, janë rekrutuar në internet nga agjentë rusë për të kryer sabotime dhe sulme brenda territorit të Ukrainës.

Sipas hetimeve, i mituri ishte udhëzuar të vendoste një telefon në automjet për të transmetuar drejtpërdrejt pamjet e brendshme, në mënyrë që bomba të mund të aktivizohej nga distanca. Por shërbimi sekret ukrainas, SBU, e kishte nën vëzhgim dhe arriti ta ndalonte përpara se të ndodhte shpërthimi.

Tani, Vlad është 18 vjeç dhe ndodhet në paraburgim në Rivne, në pritje të gjyqit për akuza për terrorizëm vepër që mund t’i kushtojë deri në 12 vite burg.
“Ishte gabim. Por askush nuk i pëlqen zyrat e rekrutimit ushtarak,” thotë ai me pendesë.

Sipas SBU-së, gjatë dy viteve të fundit janë identifikuar mbi 800 ukrainas të rekrutuar nga Rusia, prej të cilëve 240 janë të mitur, madje disa vetëm 11 vjeç. Ekspertja e sigurisë kibernetike, Anastasia Apetyk, thotë se janë regjistruar raste edhe me fëmijë 9 ose 10 vjeç, të cilët manipulohen lehtësisht përmes premtimeve për para ose “detyrave patriotike”.

Zëvendësdrejtori i Policisë Kombëtare të Ukrainës, Andriy Nebitov, thotë se agjentët rusë “kërkojnë individë të cenueshëm që nuk kuptojnë pasojat e veprimeve të tyre” dhe shpesh u kërkojnë të bëjnë eksplozivë nga kimikate shtëpiake për t’i vendosur në zyra rekrutimi ose stacione policie.

Sipas autoriteteve, rekrutimi kryhet kryesisht në Telegram, por edhe në TikTok e platforma videolojërash, ku adoleshentët joshen me shpërblime në kriptomonedha.

I riu ishte regjistruar në disa kanale Telegrami për kërkime pune. Brenda pak minutash, një burrë që prezantohej si “Roman” i ofroi punë të paguar. Fillimisht, i kërkoi të gjente një granatë që nuk ekzistonte – dhe më vonë ta vinte zjarrin një furgoni të një qendre rekrutimi, duke e filmuar ngjarjen. Për këtë “detyrë”, ai mori vetëm 100 dollarë në kriptomonedhë, shumë më pak se premtimet fillestare.

Në misionin e fundit, atij iu kërkua të vendoste një bombë në Rivne, por u arrestua përpara se ta realizonte.

Hetuesit thonë se disa kanale Telegrami që nxisin akte sabotimi nuk janë hapur drejtpërdrejt nga Rusia, por shfrytëzojnë zemërimin e qytetarëve ndaj korrupsionit dhe shërbimit të detyrueshëm ushtarak. BBC raportoi disa prej tyre në Telegram, por vetëm një pjesë e vogël është mbyllur.

Ndërkohë, qeveri evropiane kanë raportuar raste të ngjashme. Në Britani, gjashtë persona janë dënuar për zjarrvënie në një depo që ndihmonte Ukrainën një akt që, sipas autoriteteve, ishte urdhëruar nga Rusia.

Në Ukrainë, disa adoleshentë kanë humbur jetën nga eksplozivët që transportonin, ndërsa SBU pretendon se rusët i shpërthejnë qëllimisht pajisjet nga distanca për të eliminuar dëshmitarët e tyre.

Nga qelia e tij në Rivne, Vlad dërgon një mesazh për bashkëmoshatarët:

“Mos i besoni atyre që ju ofrojnë para për ‘detyrë patriotike’. Ose do të përfundoni në burg si unë, ose do të mbeteni me një bombë në duar dhe ajo do t’ju hedhë në erë.”